Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka prezantuar një pjesë të programit qeverisës që synon revolucionarizimin e sistemit arsimor në vend.
Hoxhaj deklaroi se PDK do të shndërrojë të gjitha shkollat e Kosovës në shkolla digjitale, duke eliminuar librat dhe çantat e rënda dhe duke pajisur çdo nxënës me një llaptop personal.
Sipas Hoxhajt, klasat do të pajisen me SmartBoard dhe do të ofrojnë një proces mësimor interaktiv dhe dinamik, me integrimin e Inteligjencës Artificiale (AI) si pjesë të pandashme të mësimdhënies.
Ky projekt ambicioz, sipas tij, synon të arrijë standardet globale të arsimit dhe të pajisë nxënësit e Kosovës me dije dhe shkathtësi të përshtatshme për kohën moderne.
“Partia Demokratike e Kosovës do të shndërrojë të gjitha shkollat e Kosovës në shkolla digjitale. Çdo nxënës do të pajiset me llaptop, duke larguar nga përdorimi librat dhe çantat e rënda. Çdo klasë do të ketë SmartBoard, mësim interaktiv dhe dinamik, duke integruar Inteligjencën Artificiale (AI) në procesin mësimor. Ne mund të arrijmë standarde globale të arsimit duke iu ofruar nxënësve dije dhe shkathtësi të kohës sonë.” deklaroi Hoxhaj.
Ky premtim është pjesë e një strategjie më të gjerë të PDK-së për zhvillimin dhe modernizimin e arsimit në vend.