Lajme

Enver Hoxhaj publikon deklaratën e miratuar në Kuvend për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

09/28/2026 13:59
nga:G B

Deputeti Enver Hoxhaj ka publikuar në Facebook deklaratën e miratuar sot, më 28 shtator, nga Kuvendi i Kosovës lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në deklaratë, Kuvendi shpreh shqetësim të thellë për aktgjykimin dhe e konsideron të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët. Dokumenti kërkon nga institucionet shtetërore hartimin e një strategjie të përbashkët, që bashkërendon veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen e së vërtetës historike mbi luftën në Kosovë.

Deklarata rikujton represionin dhe krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, si dhe rolin e rezistencës paqësore, luftës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s në çlirimin e vendit. Ajo kundërshton çdo përpjekje për ta vënë në dyshim luftën çlirimtare ose për ta barazuar popullin që luftoi për liri me regjimin që e shtypi.

Në fund, Kuvendi thekson se mbrojtja e së vërtetës së luftës, drejtësia për viktimat dhe e drejta e të dënuarve për gjykim të drejtë janë përgjegjësi që duhet të mbrohen së bashku.