Lajme

Enver Hoxhaj: PDK do të rrisë pagat e mësimdhënësve deri në 50%

01/23/2025 21:40
nga:G C

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka deklaruar se një arsim cilësor varet nga vlerësimi, motivimi dhe pagimi i drejtë i mësimdhënësve në Kosovë.

Në një video të publikuar në Facebook, Hoxhaj ka kritikuar qeverinë aktuale për trajtimin e mësimdhënësve dhe ka prezantuar vizionin e PDK-së për përmirësimin e arsimit.

“Si askush deri më tani, qeveria Kurti ka shkelur dinjitetin e mësimdhënësve në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë,” deklaroi Hoxhaj, duke premtuar se Partia Demokratike e Kosovës do të ndërmarrë masa konkrete për të përmirësuar situatën.

Një ndër masat kryesore të programit të PDK-së është rritja e pagave për të gjithë mësimdhënësit deri në 50%. Sipas Hoxhajt, ky hap është i domosdoshëm për të motivuar dhe mbështetur mësimdhënësit, të cilët janë shtylla kryesore e një arsimi cilësor.

“Për të pasur një arsim cilësor, ne duhet të kemi prioritet zhvillimin profesional të mësimdhënësve, duke i avancuar ata në karrierë dhe duke e vlerësuar performancën e tyre,” tha Hoxhaj, duke shtuar se PDK ka një plan të qartë për të investuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale të mësimdhënësve dhe për të siguruar një sistem arsimor të standardeve më të larta.

“Një arsim cilësor varet nga ajo se sa është i vlerësuar, motivuar dhe i paguar mësimdhënësi në Kosovë.Si askush deri më tani, qeveria Kurti ka shkelur dinjitetin e mësimdhënësve në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë. PDK do të rrisë pagat për të gjithë në arsim deri në 50%. Për të pasur një arsim cilësor, ne duhet të kemi prioritet zhvillimin profesional të mësimdhënësve duke i avancuar ata në karrierë dhe duke e vlerësuar performancën e tyre.”, ka thënë Hoxhaj.

Programi i PDK-së për arsim përfshin një qasje gjithëpërfshirëse, duke vendosur në qendër të vëmendjes mësimdhënësit dhe përmirësimin e kushteve të tyre, si dhe krijimin e një ambienti të favorshëm për nxënësit dhe studentët.