Ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj, kandidat për deputet në këto zgjedhje, iu është përgjigjur deklaratë-premtimit të Albin Kurtit, i cili ka premtuar dje në një tubim zgjedhor se do të nënshkruajnë marrëveshjen SOFA, si një hap drejt anëtarësimit të plotë në NATO. Por, në fakt, kjo marrëveshje është nënshkruar para 12 vitesh nga ish-ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj.
Në një video-adresim, Enver Hoxhaj tregon për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, në vitin 2012, duke thënë se “kur z. Kurti gjuante me gurë institucionet e Kosovës, unë kam nënshkruar me SHBA-në marrëveshjen e parë SOFA në vitin 2012”.
Gjatë video-adresimit, Hoxhaj publikon edhe Notën Verbale për këtë marrëveshje.
“Dje, Albin Kurti paska folur për marrëveshje të SOFA-s. Sot, unë i them se rruga për ta anëtarësuar Kosovën në NATO është shtruar moti, falë bashkëpunimit me shtetet anëtare të saj. Ju, z. Kurti, jeni lideri i vetëm i Kosovës i cili nga viti 1989 e deri më sot, askund nuk ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Vetëm Partia Demokratike e Kosovës është ajo e cila garanton anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO, por ne fillimisht do të insistojmë që të ketë një marrëveshje të sigurisë dhe të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa SOFA-n e kemi kryer para 12 vitesh!”, ka thënë Enver Hoxhaj.
SOFA (Status për Forca të Armatosura) është një marrëveshje bilaterale mes një vendi nikoqir dhe të huaj që përcakton statusin ligjor të personelit të ushtrisë së huaj që operon në atë shtet.
Në dokumentin e miratuar nga SHBA-ja, në Departamentin e Mbrojtjes, p.sh. stipulohet që juridiksioni penal mbi ushtarët amerikanë i takon Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës njeh rëndësinë e veçantë të kontrollit disiplinar nga autoritetet e Forcave të Armatosura të SHBA-së ndaj personelit amerikan, dhe, prandaj, autorizon Qeverinë e SHBA-së që të ushtrojë juridiksionin penal ndaj personelit të SHBA-së gjatë kohës sa janë në Republikën e Kosovës”.
“Ambasada propozon që çfarëdo automjeti që operohet, në atë kohë, ekskluzivisht nga Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së, mund të hyjë, dalë, dhe të lëvizë lirshëm brenda territorit të Kosovës, dhe se automjete të tilla nuk do t’i nënshtrohen pagesave…”