Sporti

Enis Bardhi flet për playoffin e Kupës së Botës: “Ishim të pafat, Italia është favorit, por ne nuk do dorëzohemi para kohe”

01/21/2022 11:07
nga:E K

Enis Bardhi është padyshim një nga futbollistët shqiptarë më në formë të momentit.

Shqiptari që përfaqëson, Maqedoninë Veriore, luan rregullisht në formacionin bazë të Levantes në një nga top 5 ligat më të forta evropiane, shkruan GazetaBlic Sport.

Mesfushori 26 vjeçar me tipare sulmuese po kalon në një formë jashtëzakonisht të mirë duke qenë njëri nga lojtarët që kanë kontribuar më së shumti në skuadrën e Levantes.

Në intervistën e dhënë për GazetaBlic Sport, Enis Bardhi është ndalur të flasë në hollësi për karrierën e tij me Levanten dhe Maqedoninë e Veriut me të cilën ka arritur suksese të mëdha viteve të fundit.

Maqedonia e Veriut pati sukses të madh gjatë viteve të fundit duke u kualifikuar në “EURO 2020” dhe është në playoff të Kupës së Botës, aty ku do të ndeshet me kampionin në fuqi evropian, Italinë.

Enis Bardhi e cilësoi mision tejet të vështirë kualifikimin tutje, pasi sipas tij edhe nëse kalohet Italia, kundërshtari tjetër do jetë poashtu i vështirë që pritet të jetë fituesi i ndeshjes, Portugali – Turqi.

“Po të shikojmë me një sy real, të gjithë e dimë mirë se kush është Italia në hartën e futbollit europian dhe botëror. Në këtë drejtim shorti nuk është se ishte aq me fat për ne, pasi duhet të luajmë në terren të kampionëve aktual të Europës dhe për më shumë nëse eventualisht bëjmë befasi, rivali tjetër në finale dhe sërish si mysafir do të jetë fituesi i duelit Portugali – Turqi. Por ne i marrim gjërat një nga një. Po, Italia është favorit në këtë duel, por kjo nuk nënkupton se ne do të dorëzohemi para kohe. Pa presion, me besim në vlerat tona, shkojmë të shijojmë këtë ndeshje në një nivel ku kemi arritur vetëm për meritën tonë dhe duke dhënë maksimumin do të shikojmë nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të bërë një sukses tjetër të madh për futbollin e vendit tonë”, tha fillimisht Bardhi.

Bardhi e cilëson Kampionatin Evropian si një nga të arriturat më të mëdha në karrierën e tij si futbollist, duke thënë se të luash në kompeticione të tilla është ëndrra e secilit lojtar.

“Kampionatet Europiane dhe ato Botërore, bashkë me kompeticionet europiane Champions dhe Europa League janë dëshirë e secilit futbollist, mos flasim për lojtarë që luajnë në nivele serioze. Këtu i shtoj edhe top pesë ligat më të forta të Europës dhe unë ndjehem krenar që kaq vite kam mundur të luaj në La Liga. Kjo më ka ndihmuar të shijoj shumë gjëra dhe të rritem si profesionist. Në përfaqësuesen e Maqedonisë kemi krijuar një grup shumë të mirë të futbollistëve dhe duke shfrytëzuar edhe nivelin e secilit individ, kemi mundur të bëjmë gjëra shumë të mëdha si reprezentacion. Ne në vitin 2017 luajtëm në EURO për të rinj dhe në EURO 2020 e përsëritëm me ekipin A, ku 60-70 % e ekipit është ajo e U21. Të jesh pjesë e Europianit ishte diçka shumë e veçantë, e kam shijuar maksimalisht dhe më vjen keq që nuk dolëm më mirë me rezultatet, çka besoj se ishte e mundur. Pjesëmarrja në EURO 2020 ka bërë që të gjithë në botën e futbollit të na shikojnë me sy tjetër, posaçërisht edhe pas asaj fitore në Gjermani”, shtoi mesfushori i Levantes.

Ai e ka cilësuar shortin e Nations League për Kampionatin Evropian 2024, si një grup tejet të vështirë, megjithatë ai deklaroi që ndeshjet do t’i marrin një e nga një duke mos nënvlerësuar asnjë kundërshtar.

“Mendoj se këtu kemi marrë grup interesant dhe duhet të jemi të kënaqur edhe pse gjithmonë mundet më mirë, por edhe më keq. E vlerësoj si short të mirë, por duhet të jemi të kujdesshëm, pasi sot në futboll secili mund të befasojë secilin në qoftë se nuk hyn në gjithë ndeshjet me qasjen e duhur. Me Bullgarinë do jenë ndeshje interesante ku mendoj se jemi në nivel të menaxhojmë atë që duam, Gjeorgjia është rival i njohur për ne duke qenë se luajtëm paraprakisht edhe në grupe, por edhe në finalen e play offit për kualifikim në kampionatin Europian dhe pavarësisht se i kemi mundur meritojnë respekt dhe nuk janë kundërshtar naiv. Gjibraltarin e kishim në grup në edicionin e parë të Nations League, realisht janë autsajder, por kanë ecur para kohëve të fundit dhe ne nuk duhet të nënçmojmë asnjë kundërshtar, kësaj rradhe as Gjibraltarin”, deklaroi Enis Bardhi.

Mesfushori shqiptar në këtë edicion në La Liga ka arritur të tund 3 herë portën e kundërshtarëve dhe të asistoi 2 herë për bashkëlojtarët e tij.

/GazetaBlic Sport/