Lajme

Ende s’ka rezultat për Omeprazolin indian, mostra dërgohet në Kroaci

06/21/2023 21:27
nga:G B

Ka një muaj prej që seria e ampulës Omeprazol 40 e që është prodhim indian është tërhequr nga tregu kosovar me kërkesë të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

Por, edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 ditë ende nuk ka rezultat nga Laboratori i Kontrollit për Cilësi në kuadër të AKPPM për këtë ilaç.

Kryeshefi i AKPPM si ushtrues detyre, Sejdë Tolaj tregon se mostra e Omeprezal është dërguar edhe në laboratorin referent në Kroaci, që më pas bëhet testi i krahasueshmërisë mes Kosovës dhe shtetit fqinj.

Dhe jo vetëm kjo. Në Kroaci me kërkesë të Laboratorit për Kontroll të Cilësisë është dërguar edhe mostra e një medikamenti tjetër që ka qenë në kombinimin e terapive, ajo e Gentamicinit.

Megjithëkëtë AKPPM zgjatjen e këtij procesi ende pa rezultat nuk e quan vonesë, por siguri.

Kujtojmë se QKMF-ja e Prishtinës pas raportimit të këtyre rasteve ka tërhequr nga barnatoret Omeprazolin me të cilën janë furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe vitaminën B-Complex nga kontrata komunale.