Lajme

Ende pa datë takimi mes Kosovës dhe Serbisë

09/08/2024 20:26
nga:G B

Ndonëse nuk është bërë e ditur data e takimit të ardhshëm mes Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, i deleguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, erdhi në Prishtinë për të caktuar një rund të ri të negociatave.

Insistimi i Republikës së Kosovës për hapjen e Urës mbi lumin Ibër e mbyllja e institucioneve paralele në komunat veriore në vend, si duket ka rritur kërkesën e BE-së për negociata të shpejta mes palëve.

Megjithatë, njohësi i çështjeve politike në vend, Dorajet Imeri, po konsideron se gjatë mandatit të Lajçakut, dialogu Kosovë-Serbi as nuk ka prodhuar rezultatet e duhura dhe as nuk ka ndikuar në përafrim të qëndrimeve të palëve.

“Ardhja e tij natyrisht mund të konsiderohet në vazhdën e përpjekjeve për të mbajtur gjallë dialogun i cili përveç që nuk ofron frytet e duhura ajo tashmë i ka shtyrë palët të mbajnë qëndrime edhe më të largëta. Natyrisht Bashkimi Evropian konsideroj që duhet ta rishikojë dhe ridimensionojë dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë ngaqë mënyra se si është parë tash nuk ka sjellur rezultatet e frytshme dhe të nevojshme”, ka thënë Imeri.

Konteksti aktual sa i përket dialogut është jashtëzakonisht negativ, thotë analisti Artan Muhaxheri.

“Veçanërisht ditëve të fundit ka pasë largim edhe më të madh mes pozicioneve të Kosovës dhe Serbisë në aspektin politik edhe çështja e Urës e ka dëmtuar edhe më shumë mundësinë që të ketë ndonjë përafrim. Kështu që nuk ka shumë gjasa për pritshmëri pozitive. Ky mund të jetë vetëm një formalitet i cili është në funksion të krijimit të idesë së dialogu po vazhdon por në aspektin kualitativ, në aspektin fundamental nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim të rëndësishëm pozitiv”, ka thënë Muhaxheri.

Ndërkaq profesori Mazllum Baraliu tha se gjatë mandatit të emisarit Lajçak nuk ka pasur asgjë të re përveç anime e kalkulime në favor të Serbisë.

“Definitivisht politika e jashtme e BE-së jo vetëm me emisarin Lajçak por edhe me përfaqësuesin Borell dhe të tjetër, Peter Stano zëdhënës e të tjerë zyrtarë të cilët qartazi kanë qenë jo parimor, jo në frymën e vlerave dhe parimeve në të cilat është themeluar Bashkimi Evropian dhe jo në frymën e afrimit dhe bashkimit të përpjekjeve të koordinimit të tyre në dialog për të pajtuar dhe për të normalizuar marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Baraliu.

Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, në vitin 2013, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por marrëveshje kjo që nuk u zbatua asnjëherë nga Serbia./Rtk