Lajme

Ende nuk dihet shkaku i rrëzimit të avionit në Kazakistan

12/26/2024 10:18
nga:Sh R

Më shumë se 30 persona humbën jetën kur një aeroplan azerbajxhanas u rrëzua në Kazakistan. 29 persona mbijetuan. Shkaku i rrëzimit është i paqartë. Ka disa teori.

Pas rrëzimit të një avioni pasagjerësh në Kazakistan me disa të vdekur, shkaku i aksidentit mbetet i panjohur. Shoqëria e fluturimit, Azerbajxhani Airlines dhe Autoriteti Rus i Aviacionit Civil thanë se informacionet paraprake sugjeronin se piloti vendosi të bënte një ulje emergjente pasi avioni u godit nga një zog. Nga ana tjetër, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha se sipas informacioneve të tij, avioni ka ndërruar itinerar për shkak të motit të keq.

Avioni Embraer 190 u ngrit nga kryeqyteti i Azerbajxhanit Baku në mëngjes dhe ishte planifikuar të fluturonte rreth një orë për në Grozny në republikën ruse të Çeçenisë. Megjithatë, avioni me numër fluturimi J2-8243 nuk mundi të ulej në Grozny dhe për këtë arsye u nis për në një aeroport alternativ, tha Aliyev. Megjithatë, mbetet e paqartë pse makina devijoi qindra kilometra nga kursi. Aktau ndodhet në anën tjetër të Detit Kaspik – përballë Azerbajxhanit dhe Rusisë.

“Ndikimi i jashtëm skenari më realist”
Sipas ekspertit të aviacionit, Heinrich Großbongardt, mjegulla ose një tufë zogjsh nuk ka gjasa të jenë shkaku i rrëzimit. “Skenari realist është një ndikim nga jashtë,” tha ai për Tagesschau. “Avioni u dëmtua jashtëzakonisht shumë dhe nuk mund të kontrollohej. Kjo nuk është diçka që shkaktohet nga një tufë zogjsh, për shembull, ku motorët dalin nga funksioni, por avioni mbetet i kontrollueshëm.”

Blogerët ushtarakë rusë nuk përjashtuan që avioni mund të kishte hyrë në zonat mbi Kaukazin e Veriut ku luftoheshin dronët ukrainas në mëngjes.

Platforma e gjurmimit të lëvizjes të avionëve, “Flightradar24” bëri të ditur, se avioni kishte pasur probleme të mëdha me sinjalet GPS, pasi “nuk dërgonte të dhëna të mira të ADS-B”. Ky është një sistem kontrolli për sigurinë e fluturimit që shërben për të treguar lëvizjet e avionit në hapësirën ajrore dhe transmentimin e të dhënave të pozicionit të avionëve, Rusia është akuzuar vazhdimisht për bllokimin e qëllimshëm të sinjaleve GPS në rajon.

Qeveria e Kazakistanit bëri të ditur, se do të bashkëpunonte me Azerbajxhanin në hetimin e rrëzimit të aeroplanit. Hetimet ndër të tjera kanë të bëjnë me pretendimet për “shkelje të rregullave të sigurisë” në trafikun ajror. Në mbrëmje, ekipet e shpëtimit zbuluan regjistruesin e fluturimit të makinës, e njohur edhe si kutia e zezë./DW/