Gazetari Vehbi Kajtazi dhe analisti Visar Ymeri kanë diskutuar në “VV Show” mbi kandidatët e mundshëm për postin e presidentit të Kosovës, duke përmendur emra që sipas tyre do të sillnin ndryshim dhe integritet në këtë funksion.
Kajtazi ka theksuar se Kadri Kryeziu ka ambicie për të qenë president.
Ai gjithashtu ka përmendur Veton Surroin, një emër i diskutuar shpesh në opinion, si dhe ka shprehur respekt për punën e ish-presidentes Atifete Jahjaga.
Sipas Kajtazit, figura si Arta Rama dhe kryetarja e Akademisë së Shkencave, Justina Pula, janë gjithashtu kandidatë potencialë me integritet dhe profil të pastër.
“Kadri Kryeziu ka ambicie për një gjë të tillë, ka, nuk e fsheh ndonëse një kohë ka qenë me PDK-në, tash Vetëvendosjen si përkrahës. Veton Surroi është përmend shumë, madje është përmend edhe në kohën kur është zgjedh Atifete Jahjaga për të cilën kam respekt për punën që e ka ba si presidente. Arta Rama po ashtu…kryetarja e Akademisë së Shkenacave që u zgjodh, Justina Pula, ka figura të mira të pastra në këtë vend që mujn me ushtru funksionin e presidentit”, tha Vehbi Kajtazi.
Nga ana tjetër, Visar Ymeri ka theksuar se një kandidate e duhur do të ishte dikush me integritet të provuar personal dhe profesional.
Ai ka përmendur Gresa Cakën, duke vlerësuar se përvoja e saj në Gjykatën Kushtetuese dhe aftësia për të udhëhequr e bën atë një kandidate të përshtatshëm për presidente.
“Unë një person e kisha përmend që i plotëson shumë kritere. Integritetin personal e profesional e ka dëshmu, kisha pas qejf me pas presidente, mos me pas krejt politikën prej burrave. Përvoja në një situatë jashtëzakonisht të rëndësishme në Gjykatën Kushtetuese dhe duke e udhëheq. Për mu Gresa Caka, një person jashtëzakonisht e duhur”, tha Visar Ymeri.


