Ish ylli francez i Arsenalit, Emanuel Petit ka vlerësuar lartë paraqitjet e Granit Xhakës me Arsenalin në këtë edicion, duke e përshkruar atë si futbollist kyç nën drejtimin e trajnerit Mikel Arteta.
Emmanuel Petit, fitues i Kupës së Botës me Francën dhe fitues i Premierligës me Arsenalin në vitin 1998 – thotë se Granit Xhaka është lider i madh tani tek “Topçinjtë”, duke tejkaluar me shumë sukses problemet që kishte me tifozët e klubit të tij në vitin 2019.
Granit Xhaka kishte probleme me tifozët në vitin 2019, kur në ndeshjen ndaj Crystal Palace, pas largimit të tij nga fusha – ai u fishkëllye nga tifozët vendas, ndërsa për t’i përkeqësuar gjërat, Xhaka hodhi në tokë fanellën kur u nis në drejtim të dhomave të zhveshjes.

Petit në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’ thotë se Xhaka ka mësuar nga gabimet e tij dhe tani është bërë një mesfushor i madh.
“Unë mendoj se Granit Xhaka është “ringjallur” duke marrë parasysh se sa e keqe ishte situata e tij me tifozët disa vjet më parë. Ai është shndërruar në një mesfushor të madh dhe është bërë një lider i madh në këtë ekip. Ka mësuar nga gabimet e tij si lojtar, por edhe si njeri”, tha fillimisht Emmanuel Petit për ‘GazetaBlic Sport’.
52 vjeçari shkon edhe më tutje duke theksuar se Granit Xhaka duhet të jetë shembull për lojtarët që kanë pasur probleme në të kaluarën.
“Transformimi i tij me Mikel Arteta është madhështor me një pozicion dhe kontribut ndryshe në ekip dhe tani duhet të jetë shembull për ata që kanë humbur besimin dhe respektin. Tani ai po shijon kohën e tij me ‘Topçinjtë’ dhe ka respekt nga të gjithë, sepse ajo që ka bërë është shumë e vështirë për t’u arritur. Qetësia është ajo që e përshkruan atë tani”, vazhdoi ai.
Ish lojtari i Arsenalit thotë se shpreson se sivjet Xhaka të jetë kampion me ekipin e Arsenalit në Premierligë.
“I uroj gjithë të mirat në të ardhmen dhe shpresoj që të fitojë titullin”, përfundoi ish super futbollisti francez.
Vlen të theksojmë se Emanuel Petit është një lojtar i cili në karrierën e tij ka fituar tituj si ai i Premierligës në vitin 1998 me Arsenalin, Ligue 1 me Monacon dhe Kupën e Botës me Francën në Botërorin e vitit 98′ dhe Europianin e vitit 2000′.
Ai shënoi golin e tretë në fitoren 3–0 të Francës ndaj Brazilit në finalen e Kupës së Botës FIFA 1998 dhe ishte gjithashtu anëtar i skuadrës franceze që fitoi UEFA Euro 2000.
Në karrierë ekipore, Petit ka luajtur për skuadrat si Monaco, Arsenal, Barcelona dhe Chelsea.
/GazetaBlic Sport


