Tërheqja e komunave veriore nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) nuk është një veprim befasues, por një sinjal i qartë i strategjisë së Beogradit për të rikthyer ndikimin e tij në veri të Kosovës, sipas hulumtuesit Ridvan Emini nga Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus”.
Emini thekson se vendimi i kryetarëve të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut reflekton një “lojë politike ndarëse, refuzuese dhe provokuese”, e orkestruar nga Beogradi.
“Asgjë befasuese, por padyshim sinjalizuese tërheqja e komunave veriore nga Asociacioni i Komunave të Kosovës(AKK). Një urdhër nga Beogradi për “përfaqësuesit” e Listës Serbe, që synon rikthim të strukturave e bandave si para vitit 2023.
Të maskuar me “vullnetin” e qytetarëve dhe referencën e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut, e ribëjnë të qartë lojën e politikës ndarëse, refuzuese dhe provokuese, si strategji e luftës hibride kundër Kosovës.
Pengesat e vazhdueshme ndaj integrimit të qytetarëve serbë, manifestojnë tendencat politike për rikthimin e Beogradit në veri.
Bojkotimi i institucioneve në vitin 2022 s’ishte thjesht një rishikim i politikës ekspansioniste ndaj Kosovës, por edhe strategji e sofistikuar drejt aneksimit, sepse “vakuumi institucional” do t’i shërbente pasigurisë, tensioneve, provokimeve dhe në fund sulmit të armatosur. “Dorëheqjet kolektive” si pjesë e një operacioni hibrid për delegjitimimin e institucioneve të Kosovës, u pasuan nga narrativa nxitëse e Listës Serbe se “nuk mund të qeveriset në veri pa bekimin e Serbisë”.
Mirëpo, dështimi i Radojçiqit në shtator 2023 dhe demaskimi (ekspertiza e FBI) me sulmin ndaj Ibër-Lepencit në nëntor 2024, imponoi “reflektimin” e tyre për t’iu kthyer zgjedhjeve.
Pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet lokale të tetorit, e mbështetur me të gjitha mjetet për ta rikthyer monopolin, është një zgjatim kërcënues i Beogradit brenda Kosovës.
Tërheqja nga AKK e vërteton logjikën e “anulimit” të vendimeve gjatë qeverisjes 2023-2025.
Sidomos duke qenë në prag të zgjedhjeve të parakohshme, “tërheqja” është thjesht një paralajmërim për sfidat që kërkojnë maturi, vendosmëri dhe bashkërendim ndërkombëtar”, ka shkruar Emini.
KOSTT bën thirrje për përdorim të kujdesshëm të rrymës: Mbingarkesa mund të çojë në reduktime
Read more


