Kosova e nisi keq rrugëtimin e Nations League me humbje 0-3 në shtëpi nga Rumania.
Sikur të mos mjaftonte kjo, FFK doli sot me deklaratë zyrtare ku bëri të ditur se Aro Muric, Zhegrova dhe Muslija janë përjashtuar nga grumbullimi për thyerje të rregullores, shkruan GazetaBlic Sport.
Menjëherë pas kësaj në media dolën fotografi ku shihej një lojtar i Kosovës i shoqëruar nga një vajzë në një nga lokalet e natës në Prishtinë.
Trajneri kosovar, Emin Bajrami ka komentuar për GazetaBlic Sport ngjarjet e fundit.
Bajrami fillimisht komentoi humbjen e Kosovës nga Rumania duke thënë se nuk e kishte pritur atë se çka ndodhi në “Fadil Vokrri”.
“Me thënë të drejtën isha shumë optimist, pasi isha prezent edhe në disa seanca stërvitore të Kosovës. Kam parë atmosferë jashtëzakonisht të mirë. Duke e parë formën e lojtarëve sidomos të Zhegrovës, Muriqit, Rrahmanit, kam qenë optimist që do dilnim nga ajo ndeshje me një rezultat pozitiv, ndodhi krejt e kundërta. Mendoj që mungoi angazhimi, nuk ekzistoi dëshira e madhe për fitore. Nuk pashë kompaktësi brenda grupit”, tha fillimisht Bajrami.
Tutje, tashmë trajneri i Ulpianës foli edhe për skandalin e fundit me tre lojtarët e Kosovës pas përjashtimit të tyre nga grumbullimi me vendimin e FFK dhe trajnerit Franco Foda.
“Nuk e di se sa është e vërtetë. Nëse kjo është e vërtetë e përkrah plotësisht Federatën e Futbollit të Kosovës për këtë veprim. Lojtarët po mbrojnë ngjyrat e shtetit, janë lojtarë me nam, si Aro Muric, Zhegrova dhe Muslija, nuk iu takon atyre… nuk i takon asnjë futbollisti në fakt, jo vetëm atyre – por niveli i tyre profesional nuk ua lejon një gabim të tillë. Nuk guxon të ndodhë një gjë e tillë në kombëtare”, përfundoi trajneri kosovar për GazetaBlic Sport.


