Cult

Emancipimi i femrës, domosdoshmëri në edukimin e brezave…

05/17/2021 20:07
nga:Gazeta Blic

Shkruan: Lendira Berisha

Emancipimi i femrës, domosdoshmëri në edukimin e brezave…

Femra duhet të jetë e fortë në shoqëri për të bërë ndryshime. PSE? Sepse ndryshimet nuk vijnë vetvetiu pa marrë hapin e duhur në kohë të duhur. Ne jemi ndryshimi…duhet të jemi të emancipuara, të kemi mundësinë e barabartë me meshkujt, më të ngrituara në nivelin edukativo-arsimor, kjo për shumë arsye?

Sepse femra konsiderohet si shtyllë e shtëpisë dhe e shoqërisë, posedon përgjegjësi në familje, duhet të kujdeset për perspektivën e familjes, natyrisht me ide dhe veprime që mos të kamuflohen të grilosura, për këtë duhet të kemi dhe dritën e gjelbër nga ana e meshkujve që duhet të jenë më tolerant, të gjejnë mirëkuptim, bashkëpunim dhe mbi të gjitha të ÇMOJNË, së pari domethënien e fjalës FEMËR, atëherë do ta duan vajzën, gruan, nënën, shoqen…pastaj do të mësohen të respektojnë qenien nga e cila dhe erdhën në jetë për të jetuar, nga femra. Është shumë shqetësues fakti, sa shumë dhunë në familje, sa shumë vrasje të njëpasnjëshme si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, nga pakujdesia dhe moszgjidhja e problemeve brenda familjare, si pasojë e keq menaxhimit familjar, sidomos nga ana e burrave, mënyra si i trajtojnë gratë. Mos të harrojmë se jetojmë në shek. XXI, në një kohë moderne dhe mosmarrëveshje nga më të ndryshmet ka gjithandej, por çdo herë duhet tejkaluar situatat e padëshirueshme, parandalimin e keqtrajtimit, dhunës që mos të vijmë tek vrasjet, një dukuri negative shumë e shpeshtë në ballkan, thuajse për asgjë. Femra është ajo që duhet të ruaj familjen në suaza të normales, duke shmangur konfliktet që vijnë si pasojë e mospajtimeve, ajo duhet të jetë koordinatore të mundohet të rregulloj parregullsitë në familje, duke treguar kujdes të shtuar për pasardhësit si trashëgimtarë të familjes, andaj dhe edukimi i brezave, ka të bëjë shumë me emancipimin dhe shkollimin e femrës.

Mungesa e bashkëpunimit dhe e transparencës në mes prindërve dhe fëmijëve, po shpie deri te degradimi i integritetit të fëmijëve. Duhet pasur të qartë se fëmijët bazën çdo herë e marrin në familje, një nënë e mirë është sa dhjetë mësues, ndërsa një baba i mirë rezulton me një familje të shëndoshë. Ne si prindër obligohemi që fëmijët tonë ti orientojmë drejt, mos tu lëmë hapsirë të devijojnë. Fëmijët duan edukatë, një femër e shkolluar ndryshe di ti trajtojë fëmijët e saj. Sa herë flasim për shkollimin, më bie ndërmend thënia e shkrimtarit francez, Victor Hugo që thotë: “Hapja e një shkolle, mbyllja e një burgu”. E që kuptojmë se shkollimi ndryshon në pozitivitet, të menduarit, sjelljen, qasjen, veprimin…

Diçka që është shumë e rëndësishme të theksohet, me rastin e vajzës së mitur e cila u dhunua nga djemtë poashtu të mitur të shkollës fillore në Prishtinë, mendoj se shkollat tona duhet të marrin një hap të domosdoshëm, në parandalimin e dhunës dhe abuzimit ndaj nxënësve, së pari duke e rritur numrin e psikologëve nëpër shkolla, sa më shumë mësim, bashkëpunim me nxënësit për ndalimin e seksizmit, racizmit, homofobisë me qëllim që të ndërtohet një shoqëri e shëndoshë dhe demokratike, ne duhet të bëjmë sa më shpejtë këto ndryshime, që raste të tilla mos të përsëriten.

(Autorja është juriste)