Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se Qeveria e Kosovës mund të rrëzohet apo shkarkohet vetëm nga kryeministri Kurti.
Duke folur për mocionin e AAK-së për rrëzimin e Qeverisë, Rrahmani u shpreh se nuk ka pasur bisedime me asnjë parti për të votuar për këtë çështje dhe se nuk do të votonte pro nëse mocioni vjen në Kuvend.
“Nuk jam deputet i pakënaqur, jam deputet që kam qëndrime shpeshherë ndryshe pasi nuk pajtohem me disa çështje. Nuk kam pasur asnjë diskutim me asnjë subjekt politik për rrëzimin e Qeverisë. Këtë Qeveri mund ta shkarkojë apo rrëzojë veç vetë kryeministri dhe askush tjetër. Në asnjë mënyrë nuk votoj në rrëzimin e një qeverie por edhe si deputet si parim mendoj se secila qeveri është e mandatuar me votë që ta përfundojë mandatin e saj 4 vjeçar. Pas 4 vitesh qeverisje sido qofshin ato, e mirë apo e keqe, ajo qeverisje duhet të marrë vlerësimin e popullit. Mendoj që janë deklarata që opozita i përdor për presion, për aktivitetet e tyre politike e për të gjitha këto, mirëpo nuk kanë asnjë bazë e as nuk besoj e as nuk do të ketë asnjë mundësi rrëzimi të kësaj qeverie përmes opozitës ose mënyrave të tilla. Kjo qeveri mund të rrëzohet, shkarkohet, dorëhiqet vetëm nga vetë kryeministri”, u shpreh deputeti Rrahmani për Gazeta Blic.