Lajme

EMA: Varianti ‘Mu’ potencialisht shqetësues

09/10/2021 21:41
nga:M K

Varianti Mu, i identifikuar për herë të parë në Kolumbi në janar, është potencialisht shqetësues, por ende nuk ka të dhëna që të sugjerojnë se mund të kapërcejë variantin Delta si varianti mbizotërues, njoftoi Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).

Varianti, i emërtuar shkencërisht B.1.621, u klasifikua si “variant për t’u ndjekur” nga OBSH në fillim të shtatorit.

Rregullatori evropian është përqendruar kryesisht te variantin Delta, por po monitoron edhe variante të tjera, që mund të përhapen, të tilla si Lambda (e identifikuar në Peru) dhe, së fundmi, Mu”, tha Marco Cavaleri, menaxher i EMA-s për Strategjinë e Vaksinave.

“Varianti Mu mund të jetë potencialisht më shqetësues, sepse mund të tregojë një rrezik potencial të shmangies imune (rezistencë ndaj vaksinave)”, saktësoi Cavaleri në një konferencë për shtyp, raporton ATSh.

“Por ne nuk kemi të dhëna që tregojnë se varianti Mu po përhapet aq shumë ose se ka një shans që të kapërcejë variantin Delta si lloji mbizotërues”, shtoi ai.

Të gjithë viruset, përfshirë SARS-CoV-2 përgjegjës për Covid-19, ndryshojnë me kalimin e kohës.

Shumica e mutacioneve kanë pak ose aspak efekt në vetitë e virusit.

Sidoqoftë, disa mutacione mund të ndikojnë në vetitë e virusit, për shembull, sa lehtë përhapet, ashpërsia e sëmundjes që shkakton ose te efektiviteti i vaksinave, ilaçeve, mjeteve diagnostikuese, ose masave të tjera të shëndetit shoqëror dhe publik.

EMA do të diskutojë me zhvilluesit e vaksinave efektivitetin e vaksinave kundër variantit Mu.