Lajme

Hapja e Urës së Ibrit, BE: Vendimi duhet të merret në kuadër të dialogut në Bruksel

05/30/2024 16:53
nga:Y I

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që Kosova të përmbahet nga vendimet provokuese pas paralajmërimit të zv.drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, se Ura e Ibrit do të hapet së shpejti.

Nga BE kanë thënë se hapja e urës është objekt i dy marrëveshjeve të Brukselit, të cilat janë nënshkruar në vitin 2015 dhe 2016.

Prandaj, ata besojnë se palët për të gjitha vendimet dhe negociatat lidhur me çështjen e urës duhet të zgjidhen në kuadër të dialogut.

“Hapja e urës në Mitrovicë është objekt i dy marrëveshjeve të arritura nga palët në kuadër të Dialogut me mbështetjen e BE-së në vitin 2015 dhe 2016. Pavarësisht përpjekjeve të bëra nga BE gjatë viteve, ura është ende e mbyllur për trafik. Pasi që kjo çështje ka të bëjë me dialogun e udhëhequr nga BE-ja, negociatat dhe të gjitha vendimet lidhur me Urën duhet të zhvillohen në kuadër të Dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë”, kanë thënë nga Bashkimi Evropian për KoSSev.