Lajme

Elshani: Në rast të ndonjë problemi, gati për ta menaxhuar situatën – E kanë kuptuar të gjithë që jemi serioz në kryerjen e punëve tona

04/18/2024 23:36
nga:G C

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani ka folur për situatën e sigurisë në veri të vendit, derisa pritet që të dielën të ketë një proces votimi për kryetar të katër komunave veriore.

Elashani ka thënë se situata është e qetë ani pse delikate, duke garantuar për menaxhim serioz nga ana e Policisë, në rast të ndonjë problemi që mund të shfaqet më 21 prill në veri.

“Situata në veri të vendit është e qetë, po delikate. Gjithmonë duke i ditur ngjarjet të cilat janë zhvilluar më herët dhe ato të cilat po zhvillohen tani, situata në veri krahasohet me periudhën para Banjkës dhe pas saj. Në rast se ka shprehje të ndonjë pakënaqësie apo problem në veri ne do të dimë ta menaxhojmë. E kanë kuptuar të gjithë që jemi serioz në kryerjen e punëve tona. Të dielën është procesi referendumit, ne nuk presim të ketë ndonjë problem, por në rast se kemi të bëjmë më ndonjë gjendje të paparashikuar mund të merremi me to” është shprehur ai në emisionin “Info Nata” në TËVË 1.

Të dielën e 21 prillit, banorët e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut, do të vendosin pro apo kundër largimit të kryetarëve të këtyre komunave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës vendosi që votimi të mbahet më 21, pasi i verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet për shkarkimin e kryetarëve në veri, të cilat u mblodhën nga mesi i muajit janar.