Në vitin 1914, në prag të Luftës së Parë Botërore, HG Wells botoi romanin për mundësitë e një zjarri më të madh. Vepra Bota e çliruar [World Set Free] paramendoi – 30 vjet përpara Projektit Manhattan – krijimin e armëve atomike që ia mundësojnë “njeriut të mbajë në një çantë dore sasi latente të energjisë, të mjaftueshme për ta shkatërruar gjysmën e një qyteti”. Lufta globale shpërtheu duke çuar në një apokalips atomik.
Kërkohet “krijimi i një qeverie botërore” për të sjell paqen.
Ajo që shqetësonte Wellsin nuk ishin thjesht rreziqet e një teknologjie të re, por ishin gjithashtu rreziqet e demokracisë. Qeveria botërore e Wellsit nuk u krijua me vullnetin demokratik, por u imponua si diktaturë e mirë. “Të qeverisurit do ta tregojnë pëlqimin e vet me heshtje”, thotë në mënyrë kërcënuese Egberti, mbreti i Anglisë.
Për Wellsin, “njeriu i zakonshëm” ishte “budalla i dhunshëm në çështjet sociale dhe publike”. Vetëm një elitë e arsimuar, me mendje shkencore, mund ta “shpëtojë demokracinë nga vetja”.
Një shekull më pas, një teknologji tjetër provokon një lloj të ngjashëm frikësimi – inteligjenca artificiale [AI]. Nga dhomat e bordeve të Luginës së Silikonit e deri te dhomat e Davosit, liderët politikë, manjatët e teknologjisë dhe shkencëtarët gëzohen për përfitimet e pafundme që do të sjellë AI-ja, por kanë frikë se mund të lajmërojë gjithashtu vdekjen e njerëzimit – meqë makinat superinteligjente do ta sundojnë botën.
Dhe, si një shekull më parë, në qendër të debatit janë çështjet e demokracisë dhe të kontrollit shoqëror.
Në vitin 2015, gazetari Steven Levy e intervistoi Elon Muskun dhe Sam Altmanin, dy themeluesit e OpenAI-së, të kompanisë së teknologjisë që në ndërgjegjen e publikut shpërtheu dy vjet më parë pas lëshimit të ChatGPT-së – të çetbotit në dukje të ngjashëm me njeriun.
Një galaktikë e peshave të rënda të Luginës së Silikonit, e frikësuar nga pasojat e mundshme të AI-së, e krijoi kompaninë si trust jofitimprurës bamirësie, me synimin për të zhvilluar teknologjinë në mënyrë etike – për të përfituar “njerëzimi në tërësi”.
Levy e pyeti Muskun dhe Altmanin për të ardhmen e AI-së. “Ka dy shkolla mendimi”, mendoi Musk. “Doni më shumë AI apo më pak AI? Mendojmë se më shumë është më mirë”.
“Nëse unë jam Dr. Evil [Ligësia] dhe e përdor atë, a nuk do të më fuqizojë kjo?” – pyeti Levy. Dr. Evil ka më shumë gjasa të fuqizohet, u përgjigj Altman, nëse vetëm pak njerëz e kontrollojnë teknologjinë: “Atëherë ne vërtet jemi në një vend të keq”.
Në realitet, ai “vend i keq” po ndërtohet nga vetë kompanitë e teknologjisë. Musku, i cili u largua nga bordi i OpenAI-së gjashtë vjet më parë për të zhvilluar projektet e tij të AI-së, tani po e padit kompaninë e tij të mëparshme për shkelje të kontratës – për shkak të vendosjes së fitimeve përpara të mirës publike dhe për shkak të dështimit për të zhvilluar AI-në “për të mirën e njerëzimit”.
Në vitin 2019, OpenAI e krijoi një filial fitimprurës për të mbledhur para nga investitorët, veçanërisht nga Microsoft-i. Kur e lansoi ChatGPT-në në vitin 2022, funksionet e brendshme të modelit u mbajtën të fshehura.
Ishte e nevojshme të ishe më pak i hapur, pohoi Ilya Sutskever – një nga themeluesit e tjerë të OpenAI-së dhe në atë kohë shkencëtari kryesor i kompanisë – në përgjigje ndaj kritikave për të parandaluar, ata me qëllime keqdashëse, nga përdorimi “për të shkaktuar dëm të madh”. Frika nga teknologjia është bërë mbulesë për krijimin e mburojës për hetim.
Në përgjigje të padisë së Muskut, OpenAI javën e kaluar publikoi një seri të letrave elektronike – midis Muskut dhe anëtarëve të tjerë të bordit. Këto bëjnë të qartë se, që nga fillimi, të gjithë anëtarët e bordit ranë dakord që “OpenAI” në fakt nuk mund të ishte e hapur.
Teksa AI-ja zhvillohet, Sutskeveri i shkroi Muskut se “ka kuptim të fillojmë të jemi më pak të hapur. Open [hapja] në openAI do të thotë se të gjithë duhet të përfitojnë nga frytet e AI-së – pas ndërtimit të saj – por, është krejtësisht në rregull që të mos e këmbejmë shkencën”.
“Po”, u përgjigj Musk. Çfarëdo që mund të thotë padia e tij, Musku nuk është më i hapur ndaj hapjes sesa manjatët e tjerë të teknologjisë. Sfida ligjore ndaj OpenAI-së është më shumë një luftë për pushtet brenda Luginës së Silikonit sesa një përpjekje për të sjell llogaridhënie.
Wellsi e shkroi veprën Bota e çliruar në një kohë të trazirave të mëdha politike, kur shumëkush e ka vënë në dyshim idenë e shtrirjes së drejtës së votës për klasën punëtore.
“A ishte e dëshirueshme, a ishte madje e sigurt t’i besohej [masave]”, pyeti Fabian Beatrice Webb, “me kutinë e votimit, me krijimin dhe kontrollin e qeverisë së Britanisë së Madhe, me pasurinë e saj të madhe dhe zotërimet e saj të largëta”? Kjo gjithashtu ishte pyetja në qendër të romanit të Wellsit – se kujt mund t’i besohet e ardhmja?
Një shekull më vonë, përsëri e kemi një debat të ashpër për virtytet e demokracisë. Për disa, trazirat politike të viteve të fundit kanë qenë produkt i demokracisë së tepërt, i lejimit të irracionalëve dhe të të paarsimuarve që të marrin vendime të rëndësishme.
“Është e padrejtë t’ua ngarkosh njerëzve të thjeshtë e të pakualifikuar përgjegjësinë për të marrë vendime historike”, siç ka thënë Richard Dawkins pas referendumit të BREXIT-it – një ndjesi me të cilën Wellsi do të pajtohej.
Për të tjerët, është pikërisht përbuzja e tillë për njerëzit e zakonshëm që ka ndihmuar në krijimin e deficitit demokratik në të cilin pjesë të mëdha të popullsisë ndjehen të privuara për t’u shprehur për mënyrën se si drejtohet shoqëria.
Është përbuzje që ushqehet edhe në diskutimet e teknologjisë. Ashtu si në Botën e çliruar, debati i AI-së përqendrohet rreth pyetjeve jo vetëm për teknologjinë, por edhe për hapjen dhe kontrollin.
Pavarësisht alarmit, jemi shumë larg nga makinat “superinteligjente”. Modelet e sotme të inteligjencës artificiale, të tilla si ChatGPT ose Claude 3 – e lëshuar javën e kaluar nga një kompani tjetër e AI-së, Anthropic – janë aq të mira në parashikimin se cila duhet të jetë fjala tjetër në një sekuencë, saqë mund të na mashtrojnë duke paramenduar se në bashkëbisedim mund të jetë një person i ngjashëm me njeriun.
Megjithatë, nuk janë inteligjentë në asnjë kuptim njerëzor, kanë kuptim të papërfillshëm për botën reale dhe nuk janë gati ta shuajnë njerëzimin.
Problemet që paraqet AI-ja nuk janë ekzistenciale, por sociale. Nga paragjykimi algoritmik te mbikëqyrja masive, nga dezinformimi dhe censura e deri te vjedhja e të drejtave të autorit, shqetësimi ynë nuk duhet të jetë që makinat një ditë mund të ushtrojnë pushtet mbi njerëzit, por që ato tashmë punojnë në mënyrat që përforcojnë pabarazitë dhe padrejtësitë, duke ofruar mjetet me të cilat ata që janë në pushtet mund ta konsolidojnë autoritetin.
Kjo është arsyeja se pse ajo që ne mund ta quajmë “manovra Egbert” – këmbëngulja se disa teknologji janë aq të rrezikshme saqë duhet të jenë përtej presionit demokratik dhe të kontrollohen nga disa të zgjedhur – është kaq kërcënuese. Problemi nuk është vetëm Dr. Evil, por ata që e përdorin frikën e Dr. Evilit për ta mbrojtur veten nga hetimi.