Ish-deputetja e PDK, Eliza Hoxha, ka reaguar pas vendimit të Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës për rishikimin e organizimit të procesit mësimor në shkollat e qytetit gjatë muajit të Ramazanit.
Ajo tha se me këtë vendim, Komuna e Prishtinës ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Sipas Hoxhës, Kosova, si shtet laik, organizon jetën publike bazuar në normat juridike që dalin nga Kuvendi dhe institucionet përkatëse.
Ajo tha se liritë fetare dhe të tjera individuale janë të garantuara nga Kushtetuta dhe mund të ushtrohen si e drejtë individuale apo grupore, por vendimmarrja e tyre nuk mund të mbivendoset mbi normat juridike publike.
“Liritë janë të plota kur ushtrohen brenda domenit ligjor dhe nuk cenojnë natyrën e rregullimit shtetëror. Komuna e Prishtinës sot ka shkelur Kushtetutën. Ligjet dhe Kushtetuta duhet të vlejnë njësoj për të gjitha institucionet, pa dallim. Respekt për agjeruesit dhe besimtarët!”, tha Hoxha.


