Lajme

Elezi: Policia dhe Prokuroria duhet të jenë më strikte ndaj personave me precedent penal

11/07/2025 11:07
nga:Y I

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka folur për vrasjen e dyfishtë që ka ndodhur në fshatin Gollubovc të Malishevës dhe për të dyshuarin e këtij rasti, i cili më parë kishte pasur të ngritura dy aktakuza për “dhunë në familje” dhe “kanosje”.

Në emisionin “Ora Shtatë” ai ka deklaruar se Policia dhe Prokuroria duhet të jenë më strikte ndaj personave të tillë.

“Në vazhdimësi kemi folur për problemet e sigurisë publike dhe për detyrimet që kanë institucionet e zbatimit të ligjit për të parandaluar këto raste. Siç e kemi kuptuar, edhe në këtë rast personi kishte kryer veprë penale më parë, por arriti të jetë jashtë dhe të kryejë edhe këtë vrasje të rëndë”, tha Elezi.

“Ne kemi thënë dhe vazhdojmë të theksojmë se masat që duhet të ndërmerren nga institucionet e zbatimit të ligjit, nga prokuroria dhe gjykata, duhet të jenë strikte dhe të analizohen mirë. Ekziston mundësia që personat të kenë probleme të shëndetit mendor, duke u dhënë më pas edhe trajtim”, shtoi ai.