Lajme

Elezi: Me ndalimin e Jankoviqit nga Serbia, mund të cënohet siguria e institucioneve të sigurisë

04/18/2024 16:07
nga:Y I

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, e ka quajtur rrëmbim, arrestimin e zyrtarëve policorë nga autoritetet serbe dje.

Elezi tha se për arrestimin e tyre s’ka bazë juridike për ndalim, qoftë edhe për kundërvajtje të shkaktuar nga ta.

“Qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë dhunohen në vazhdimësi nga institucionet e zbatimit të ligjit të Serbisë, madje të njëjtat kanë arritur shpesh edhe brenda territorit të Kosovës përmes grupeve kriminale që kanë qenë në të kaluarën kanë dhunuar e përdhunuar qytetarë serbë, vetëm pse të njëjtit kanë qenë të gatshëm që të jenë bashkë me qytetarët shqiptarë apo të jenë lojal ndaj institucioneve të Kosovës”.

“Qytetarët i pyesin për çdo lëvizje eventuale apo marrëdhënie që kanë me përfaqësuesit e institucioneve të zbatimit të ligjit të Kosovës e veçanërisht me institucione të veçanta siç është AKI-ja dhe Njësia e Inteligjencës, DIA”, tha ai në emisionin “Kosova Today”.

Më tej, Elezi tha se me ndalimin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, mund të cenohet edhe siguria e institucioneve të sigurisë.

“Bazuar detyrave dhe përgjegjësive që ka Jankoviq, sigurisht që ka një qasje të fuqishme në informacione të ndryshme dhe ekziston rreziku që mund të cenohet edhe siguria e institucioneve të rëndësishme të sigurisë”, tha ai.