Sporti

El Shaarawy, në kundërsulm, padit paparacin e famshëm dhe programin satirik

10/20/2023 23:16
nga:E K

Avokatët e El Shaarawy-t kanë depozituar në Prokurorinë e Milanos denoncimin ndaj Fabrizio Coronas dhe programit televiziv “Striscia la Notizia” pas akuzave të ish-mbretit paparac në fushën e basteve sportive.

Corona, gjatë dorëzimit të Tapirit të Artë ka përmendur edhe emrin e sulmuesit të Romës, i cili, sipas tij, ka qenë i përfshirë në vënien e basteve.

“Megjithëse nuk jam i prirur të ekspozohem publikisht, reagimi im është shumë i prerë. Ajo që ndodhi ishte një operacion turpërues dhe, më e keqja, i orkestruar.

Për të mbrojtur veten time, klubin ku luaj dhe futbollin italian duhet të kundërpërgjigjem. Në fund të fundit, autorët e këtij sulmi duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të largohen nga çdo iniciativë e ngjashme.”

Këto janë fjalët e Stephan El Shaarawy – përmes avokatëve të tij Matteo Uslenghi dhe Federico Venturi Ferriolo nga LCA Studio Legale – në padinë e depozituar kundër Coronas dhe Striscia la Notizias në Prokurorinë e Milanos.