Lajme

Ekstradohet nga Kosova 56-vjeçari, tentoi të kryente një vrasje në Berat

07/12/2024 15:54
nga:Y I

Është arrestuar njëri nga tre personat e shpallur në kërkim, si pjesë e grupit kriminal, që në 31 maj 2023 do të organizonin një atentat në Berat.

Në prangat e policisë ka rënë shtetasi Kosovar, Hamit Kosova, 56 vjeç.

Ai është arrestuar në qytetin e Prishtinës në Kosovë dhe falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me autoritetet ligjzbatuese në Kosovë, ditën e sotme u finalizua ekstradimi i tij nga Kosova në Shqipëri.

Hamit Berisha ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi së bashku me shtetasit (ende në kërkim) Ermal Gora, 43 vjeç, nga Tirana dhe të Arli Shehu, 30 vjeç, banues në Korçë (i arrestuar), kishin planifikuar kryerjen e një atentati në qytetin e Beratit, por të gjendur nën presionin e policisë, ata fshehën automjetin në fshatin Moravë.

Brenda në automjet policia gjeti edhe të gjitha mjetet që do përdoreshin për kryerjen e krimit, ndërkohë që tre autorët duke përfituar nga errësira ishin larguan drejt zonave të pyllëzuara pasi kuptuan se policia ishte vënë në ndjekje të tyre. Ngjarja kriminale u parandalua si rezultat i ndërhyrjes së Policisë së Beratit, në kuadër të operacionit, të koduar asokohe “Objektivi”.

Hamit Berisha akuzohet për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

/Euronews Albania/