Lajme

Ekspozimi i armatimit nga Kurti/ Ekspertët e sigurisë: Përbën rrezik për sigurinë kombëtare – armatim i vitit 2019

11/20/2024 20:07
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar njërën nga depot e FSK-së, ku janë vendosur furnizimet e fundit me armatim për ushtrinë e vendit.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një video në Facebook, ku ka ekspozuar armët.

“Ky armatim modern është në kuadër të blerjeve dhe furnizimeve të vazhdueshme që jemi duke i bërë për forcën tonë dhe është vetëm një pjesë fare e vogël e sasisë më të madhe të armatimit të këmbësorisë që ndonjëherë kemi marrë. Ngritja e kapaciteteve tona ushtarake ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në shërbim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit tonë territorial dhe të ruajtjes së paqes dhe sigurisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Për këtë ekspozim të armatimit nga kryeministri kanë folur ekspertë të sigurisë.

Ish koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, thotë për Gazeta Blic se ai armatim nuk duhet të ekspozohet nga politikanët dhe se i përket këmbësorisë dhe është armatim i vitit 2019 dhe jo i blerë së fundi.

“Nuk është e dorës së fundit. Pjesa dërmuese e armatimit këmbësorik që është parë ka qenë e porosit në vitin 2019, një pjesë tjetër më vonë.  Është armatim i këmbësorisë, duke përfshirë pushkë automatike dhe mitrolezë. Nuk do duhej të dilte në opinion armatimi. Sepse ekspozimi i armëve të një ushtrie në koncept demokratik konsideroj se imazhe të tilla do duhej sa më pak. Armatim i blerë ndër vite, që nga 2019, kur kemi filluar porositë e para në FSK dhe vazhdon edhe sot ai trend, sipas planit 10 vjeçar të operatevitetit të FSK”, u shpreh ai.

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë për Gazeta Blic se publikimi i detajeve lidhur me armatimin mund të përbëjë rrezik potencial për sigurinë kombëtare.

“Duke e vlerësuar rëndësinë e informimit publik për aktivitetet dhe përparimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), është e domosdoshme të mbajmë parasysh parimet e sigurisë kombëtare, sidomos kur bëhet fjalë për çështje delikate si infrastruktura kritike e mbrojtjes dhe kapacitetet ushtarake. Publikimi i detajeve lidhur me armatimet dhe vendndodhjet e tyre, qoftë edhe pa dashje, mund të përbëjë një rrezik potencial për sigurinë kombëtare. Në një mjedis ku Kosova përballet me sfida të vazhdueshme nga aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë, përfshirë luftërat hibride dhe aktivitetet e “zonës gri”, siç janë sulmet kibernetike dhe fushatat dezinformuese, publikimi i të dhënave të ndjeshme mund të përdoret për të cenuar sigurinë dhe stabilitetin e vendit”, shprehet ai.

Sipas Shalës, janë disa rreziqe që kanosën.

“Rreziku i ekspozimit të informacionit kritik:

Informacionet publike mbi armatimet moderne dhe vendndodhjet e tyre mund të shfrytëzohen nga aktorë me qëllime të këqija për të kryer operacione inteligjence ose për të planifikuar sulme hibride apo kibernetike.

Hapësira për veprime keqdashëse:

Aktorë si Serbia dhe Rusia kanë dëshmuar përfshirje në aktivitete hibride ndaj vendeve të tjera në rajon. Publikime të tilla u japin mundësi këtyre aktorëve të identifikojnë dobësi të mundshme ose të targetojnë infrastrukturën kritike.

Nevoja për diskrecion në mbrojtjen kombëtare:

Ndërsa transparenca është vlerë e rëndësishme në një demokraci, ajo duhet të ekuilibrohet me ruajtjen e sekreteve shtetërore që mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka theksuar eksperti për Gazeta Blic.

Shala shton se “ruajtja e ekuilibrit mes informimit publik dhe mbrojtjes së sigurisë kombëtare është një hap i domosdoshëm për të garantuar stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë”./Gazeta Blic/