Lajme

Eksperti serb i sigurisë: Pa formimin e Asociacionit, Serbia nuk do të pranojë asnjë marrëveshje

02/21/2023 09:47
nga:Astrit Gashi

Eksperti serb i sigurisë Miroslav Bjegoviq, ka deklaruar se “Serbia nuk do të pranojë asnjë marrëveshje derisa nuk zgjidhet “dispozita kryesore e Marrëveshjes së Brukselit”, që nënkupton formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Ai ka deklaruar se në kuadër të Konferencës së Munihut është bërë fjalë edhe për marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë, ku BE, sipas fjalëve të tij, “është përpjekur të imponojë një zgjidhje që nuk është e pranueshme për Serbinë dhe që nënkupton lejen e Serbisë që Kosova të anëtarësohet në OKB”.

Ai ka shtuar se “Serbia nuk është e detyruar të vendosë sanksione ndaj Rusisë, sepse nuk është anëtare e BE -së dhe për këtë arsye nuk është e detyruar të harmonizojë politikën e saj të jashtme me të BE-së”.

Bjegoviq gjithashtu ka deklaruar se presionet ndaj Serbisë do të jenë gjithnjë e më intensive dhe se BE mund të kushtëzojë Serbinë me tërheqjen e investimeve dhe me anulimin e regjimit pa viza, përveç nëse ajo nuk vendosë sanksione ndaj Rusisë.