Lajme

Eksperti i sigurisë: S’pritet të ketë tensione me 21 prill në veri, në muajt në vijim po!

04/19/2024 18:02
nga:Y I

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, pas bllokimit në kufi me Serbinë të mbi 1500 shtetasve kosovarë, tha se këto veprime nga Beogradi erdhën pas thirrjeve të Aleksandër Vuçiç ndaj njësive “Kobra”.

Ai ngriti alarmin se Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë.

“Vlerësojmë se këto tensione do të vazhdojnë. Mund të ketë forma të tjera, një ndër tyre që kemi vërejtur prej datës 8 prill deri më 21 është një ushtrim që ushtria serbe po kryen në pjesën jugore të territorit të Serbisë. Është një ndër më të mëdhatë që ka zhvilluar ndonjëherë ushtria serbe. Në kohën që ky ushtrim po realizohet dhe përdorimi i pajisjeve dhe sistemit të armatimit në këtë ushtrim paraqet kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan. Të gjitha veprimet që deri më tani ka ndërmarrë i ka kamufluar Serbia si përgatitje dhe militarizim për mbrojtje. Serbia do të testojë pajisje sulmuese dhe jo mbrojtëse. Edhe pse ka vendosur 48 baza në kufi me Kosovën në jug të territorit të saj, ka vazhduar të proklamojë se gjithë ky mobilizim ka qenë për të përgatitur mbrojtjen e territorit. Nesër do të jemi dëshmitarë që Serbia do të testojë kapacitete sulmuese, mes tyre dhe dronë kamikazë që nuk përdoren për të mbrojtur por për sulme kundër dikujt tjetër”, u shpreh Maqedonci për A2CNN raporton Gazeta Blic.

Si pritet të jetë situata në ditët në vijim dhe a mund të kemi tensione?

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se nuk pritet të ketë tensione të theksuar gjatë procesit zgjedhor të 21 prillit në katër komunat veriore.

Shala tha se institucionet e Kosovës kanë marrë të gjitha masat që për të ofruar rend dhe ligjshmëri gjatë procesit zgjedhor.

“Me datën  21 prilli nuk do të ketë ndonjë tension të theksuar nga strukturat e pakta që kanë mbetur në Kosovë.Pra institucionet e Kosovës kanë ndërmarr gjitha veprimet në aspektin e sigurisë për të ofruar rend dhe ligjshmëri në këtë proces” deklaroi Shala.

Por ai paralajmëroi se në muajt në vijim presioni do të jetë më i lartë, në formën e një lufte hibride, e cila ka një qëllim që të mbaj rajonin nën tensione.

“Por në muajt në vijim do të jete presioni me i lartë në formën e një lufte hibride e cila ka një qëllim që të mbaj kete rajon nën tensione deri sa të ndryshohen rrethanat gjeopolitike në favor të Serbisë nga konflikti në Lindjen e Mesme” deklaroi Shala në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën