Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka pretenduar se disa zyrtarë policorë kanë inskenuar një rast ku “viktimat janë shndërruar në të akuzuar”.
Elezi me anë të një denoncimi publik në rrjetet sociale, ka thënë se i lënduari V.E. kishte mbetur brenda veturës përgjatë një aksidenti në magjistralen Kaçanik-Ferizaj dhe s’kishte marrë ndihmën e parë.
“Vëllai i tij, R.E., tashmë i arrestuar, kishte tentuar të ndihmonte vëllain e tij të plagosur, por ishte penguar nga zyrtarët policorë. Në përpjekje për ta nxjerrë të lënduarin nga vetura, R.E. nuk kishte përfillur urdhrin e policisë, gjë që çoi në një përplasje fizike ku, sipas raportimeve, një zyrtar policor u lëndua lehtë”, thuhet në denoncimin e ekspertit të sigurisë.
Tutje, ai thotë se R.E, vëllai i të përfshirit në aksident, u arrestua me anë të përdorimit të dhunës.
“Më shqetësuese është fakti se dy zyrtarët policorë të përfshirë paskan pranuar me “krenari” se kanë inskenuar rastin, duke pretenduar se R.E. kishte tentuar të nxirrte armë nga brezi – një pretendim që dyshohet të jetë i fabrikuar, pasi është raportuar edhe dëmtimi i qëllimshëm i portofolit të armës për të rënduar situatën”, thuhet më tej në denoncimin e tij.


