Eksperti i sigurisë Arben Dashevci, në një prononcim për Gazeta Blic, u deklarua pas përleshjes së fundit me armë zjarri në Prishtinë, ku mbeti i vrarë një person dhe pesë të tjerë janë plagosur.
Ai tha se në Kosovë vrasjet vazhdojnë që prej pas luftës, tash e 24 vite.
“Vrasjet në republikën e Kosovës tash e 24 vite nuk janë ndalur kurrë, ne kemi pasur vrasje të ndryshme për qerime hesapesh të ndryshme në mes grupeve rivale, vrasje në familje dhe vrasje nga më të ndryshme që janë apsolutisht të papranuara dhe që shkaktojnë shqetësime, dhe në situate të caktuara shkaktojnë edhe tmerr tek qytetarët e Kosovës duke pasur parasysh sesa banorë jemi dhe sa vrasje ndodhin”, deklaroi ai.
Tutje ai tha se këto vrasje veç tjerash po shkaktojnë shqetësime edhe tek qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Nëse ne i shikojmë statistikat si më parë ose tash të fundit, të gjitha këto statistika janë shqetësuese, tek e fundit shkaktojnë shqetësime tek qytetarët e Kosovës, sepse këto vrasje është dashur edhe më herët të ndalohen”, tha ai.
Dashevci tha se bashkëpunimi mes institucioneve shtetërore duhet të jetë i lidhur, sipas tij në mënyrë që të arrihet sukses.
“Gjithmonë Kosova ka pasur nevojë që këto sanksione penale ti ashpërsoj, jo që të arrihet represiva në këtë rast, por që të arrihet parandalimi i vrasjeve, duke pasur parasysh që kemi një polici një organ të rendit funksional me kapacitete të plota për veprim, me numër të mjaftueshëm të policëve në çdo cep të Republikës së Kosovës. Andaj bashkëpunimi polici, organi i akuzës dhe sistemi i drejtësisë, pra gjykatat, duhet të jenë sikur një zinxhirë i lidhur mes vete që të arrijnë suksesin e dëshiruar”, theksoi ai.
“Ne kemi çdo dy tri ditë vrasje dhe kjo dërgon në dëshprim ose në depresionin shoqërorë, andaj kësaj duhet t’i thuhet stop, dhe stop i thuhet me ligj sepse ligji është akti më i lartë juridik në një shtet pas Kushtetutës. Dhe me bashkëpunimin e tri institucioneve, ne pa asnjë dyshim sipas mendimit tim, do ta kemi suksesin e dëshiruar”, përfundoi eksperti i sigurisë, Arben Dashevci.
/GazetaBlic/


