Gjatë ditës së sotme u raportua për tentim-atentat ndaj kryeministrit Kurti pas kthimit të tij për në Kosovë nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në lidhje me këto raportime ka folur vetë kryeministri Kurti.
Kurti ka deklaruar se nuk është ndjerë i kërcënuar por është informuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beograd.
“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil” ka deklaruar Kurti raporton “Gazeta Blic”.
Në lidhje me këto kërcënime ka folur për “Gazeta Blic”, eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Shala tha se kërcënime të tilla ndaj krerëve institucional janë në përditshmëri nga elementët serbo-rus dhe në bazë të këtyre informacioneve organet veprojnë duke shtuar masat e sigurisë.
“Sipas një informacioni publik që kryeministrit të Kosovës i është rrezikuar jeta e ti personale pas paraqitjes në OKB dhe si rezultat institucionet e sigurisë së Kosovës kanë rrit gadishmërinë por edhe është informuar pala maqedonase për informata të tilla të rrezikimit dhe marrjes së masave adekuate për sa kohë kryeministri është në Shkup ti garantohet siguria me e lartë”
“Kërcënimet ndaj krerëve institucional nga elementet serbo/ruse janë në përditshmëri dhe mbi keto informacione organet në vend veprojnë duke shtuar masat e sigurisë” deklaroi Shala për “Gazeta Blic”.
Ai tha se institucionet e sigurisë duhet të ndërmarrin veprime edhe në avancimin e mbrojtjes së udhëheqësve të partive parlamentare.
“Institucionet e sigurisë duhet të marrin veprime edhe në avancimin e mbrojtjes së udheheqësve të partive parlamentare për mos lejuar që ndonjë veprim i këtyre strukturave të cenojnë sigurinë nacionale të vendit.Kjo është një luftë hibride që Serbia e ka targetur Kosovën në këtë periudhë” deklaroi eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një përgjigje dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/
Tentim atentat ndaj kryeministrit Kurti