Lajme

Eksperti i sigurisë: Nëse nuk arrihet marrëveshja për heqjen e barrikadave, ato duhet t’i heqë KFOR-i

12/26/2022 12:59
nga:G B

Dje në veri ka pasur gjuajtje me armë në afërsi të trupave të KFOR-it që po patrullojnë atje, në Zubin Potok.

Kjo është konfirmuar nga KFOR-i, i cili ka thënë se ka nisur hetimet lidhur me rastin.

Në anën tjetër, barrikadat kanë hyrë në ditën e 17 të vendosjes, e për një zgjidhje për situatën, KFOR-i ka thënë se po bëhen përgatitjet për takime të të gjithave palëve dhe se zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut.

Për Gazeta Blic, lidhur me situatën e sigurisë në veri, barrikadat dhe sulmin në afërsi të KFOR-it, ka folur eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.

Ai thotë se situata vazhdon të jetë e tensionuar dhe forcat ekstremiste që janë në veri e kanë sulmuar edhe KFOR-in, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

“Situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar dhe ka pasur sulme ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, dhe tash së fundi natën e mbrëmshme ishte edhe ndaj KFOR-it. Kjo tregon se ka ndodhur pa marrë parasysh deklaratat e Rakiqit se nuk e sulmojnë KFOR-in por me fjalë të tjera ai ka thënë se do ta sulmojë Policinë e Kosovës dhe policitë tjera që tregon një ekstremizëm të skajshëm, që po mbështetet nga presidenti serb Vuçiq, i cili ka thënë se do t’i marrë të gjitha masat e nevojshme për ta forcuar kufirin me Kosovën, që tregon se është mbështetje për këto forca ekstremiste në veri”, thotë ai.

Ai thotë se takimi për një zgjidhje në mes të Kurtit e Vuçiqit mund të ndodhë shumë shpejt, pasi situata vazhdon të tensionohet me sulme nga serbët.

“KFOR-i ka paralajmëruar se do të ketë takime që do të jenë në mes të kryeministrit Kurti dhe Vuçiqit, që ndoshta do të arrihet një marrëveshje që barrikadat të hiqen dhe situata të mos përkeqësohet dhe të mos ketë një konflikt të mundshëm të armatosur. Mendoj se takimi do të ndodhë shpejt, pasi situata po tensionohet ende me sulme të reja”, shton Ibishi për Gazeta Blic.

Sipas tij, nëse nuk arrihet marrëveshja, atëherë barrikadat duhet të hiqen nga KFOR-i, që edhe në atë rast mund të ketë tensione.

“Nëse nuk vjen deri te një marrëveshje në kuptim të tërheqjes së të gjitha barrikadave, atëherë KFOR-i duhet të marrë masa që t’i heqë ato, që mendoj se do të ketë tensione, pasi forcat atje duan që t’i sulmojnë Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in, ku KFOR-in mendoj se e bëjnë në shenjë hakmarrje apo revanshi për shkak të ndihmës ndaj Policisë së Kosovës për ndërrimin e policëve në veri”, deklaron eksperti i sigurisë./Gazeta Blic/