Eksperti i sigurisë Bedri Elezi, vlerëson se në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt vihet në pikëpyetje kredibiliteti i dëshmitarëve, për faktin se të njëjtit njëkohësisht janë edhe të dyshuar.
Në emisionin Kosova Today ai u shpreh se prokuroria ka arritur që t’i sigurojë detajet dhe provat dhe t’i vendosë ato në dispozicion, por që kjo sipas tij, nuk mjafton që të kemi mundësi për të pasur një proces që garanton një aktakuzë të mirëfilltë për faktin se personat e dyshuar i kemi edhe dëshmitarë.
“Ligji e ka paraparë që çdo person që e ngarkon veten, ka të drejtë të deklarojë edhe rrejshëm për ta mbrojtur veten. Nëse nuk kemi prova të tjera në të cilat ne e vërtetojmë kryerjen e veprës, mbetemi me dëshmitarë, dhe një dëshmitar i cili është vet i dyshuar apo i akuzuar, ku është kredibiliteti i tij?”, pyet Elezi,
Ai tutje shtoi se ligji e ka paraparë që duhet të ketë më shumë se një dëshmitar i cili ka qenë i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe ka p.sh mundësi për të deklaruar që deklarimi i tij të jetë i pandikuar, e në rastin konkret nuk e kemi, sepse vet personat p.sh. ai që e ka kryer vrasjen është dëshmitar i atij që e ka dhënë urdhrin për vrasje.
“Vetë urdhërdhënësi mund të jep deklaratë kundrejt tjetrit që është në disfavor të tij, por që është në favor të tij, pra një i akuzuar nëse është dëshmitar, kredibiliteti i tij është i cenuar për faktin se duke dashur ta mbrojë veten, ai mund të japë informacion për të ngarkuar tjetrin”, sqaroi eksperti i sigurisë Bedri Elezi.