Lajme

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare: Qasja e Borrell komplekson arritjen e dakordimit për njohje të ndërsjellë

08/18/2022 23:32
nga:G B

Me orë të tëra sot në Bruksel u mbajt takimi në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.

E, disa orë më pas pati dhe një deklarim për media nga shefi i lartë i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili tha se nuk pati marrëveshje por që u dakordua për të vazhduar bisedimet para 1 shtatorit.

Lidhur me takimin, eksperti i marrëdhënieve, Shqiprim Pula, thotë për Gazeta Blic se ishte e papritur që të mos ketë dakordim për deklaruar.

“Ishte i papritur përfundimi i takimit të sotëm, pa një dakordim të deklaruar, mbase u është dhënë një tjetër mundësi palëve në dialog që t’i shpalosin detajet mbi zbatimit e vendimeve të qeverisë së Republikës së Kosovës. Ne, që nga 31 korriku kemi parë rritje tensionesh për vendimin e targave dhe dokumenteve të identifikimit, e lehtësuesit e dialogut por edhe të emëruarit tjerë special (nga ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania) nuk dëshirojnë të shohin tensione e potencialisht eskalim të situatës në terren siç u pa e u konstatua e mbi të cilën arsye edhe u kërkua që të shtyhej deri me 1 shtator”, thotë ai.

Sipas Pulës, Borrell është dashur ta konfirmojë domosdoshmërinë e jetësimit të marrëveshjeve të Brukselit, të arritura qysh në 2011-tën mbi lëvizjen e lirë dhe pa pengesa lidhur me dokumentet dhe tabelat e veturave.

“Por, çfarë është për t’u vlerësuar është deklarimi i zotëri Joseph Borell pas takimit Kurti – Vuçiq, i cili deklarim, ishte i balancuar në kuptim të vazhdimit të takimeve të radhës deri me 1 shtator, kur edhe pritet jetësimi i vendimeve, por, edhe jo krejt i paanshëm, ngase zotëri Borrell nën cilësinë e përfaqësuesit të lartë të Unionit Europian, ishte dashur ta konfirmonte domosdoshmërinë e jetësimit të marrëveshjeve të Brukselit, të arritura qysh në 2011-tën mbi lëvizjen e lirë dhe pa pengesa lidhur me dokumentet dhe tabelat e veturave, duke respektuar reciprocitetin si parim, e t’i kërkonte Serbisë që të mos e kundërshtoj marrëveshjen e tillë. Çuditërisht, nga deklarimi i tij, ne, nuk pamë një qasje të tillë, e që lehtësuesit dhe ndërmjetësit e dialogut do të duhej të tregonin korrektësi, paanshmëri të plotë përgjatë mbarëvajtjes së procesit deri në arritjen e epilogut të pritur”, vlerëson eksperti i marrëdhënieve mdërkombëtare.

Ai thekson se qasje të tilla si e sotmja do ta bëjnë më komplekse arritjen e një dakordimi për njohje të ndërsjellë.

“Madje, qasje të tilla, si e sotme, do ta bënin më kompleks edhe arritjen e një dakordimi për njohje të ndërsjellë dhe kultivimin e fqinjësisë korrekte. Për fat të keq për Kosovën, si zotëri Borrell ashtu edhe zotëri Lajçak, vijnë nga vende të UE-së, që nuk e kanë njohur mëvetësinë e Kosovës por edhe e kanë kontestuar vendimin e GjND-së! mbi shpalljen e pavarësisë; kjo më pas krijon dilema të caktuara në raport me protagonistët e dialogut”, deklaron Shqiprim Pula./Gazeta Blic/