Lajme

Eksperti i komunikacionit: Vendosja e kamerave rrugore dhe radarëve, do të parandalonin rritjen e aksidenteve

01/06/2024 18:31
nga:Sh R

Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti, ka komentuar gjendjen e komunikacionit në Kosovë, ku për 24 orë kanë ndodhur rreth 71 aksidente dhe një prej tyre me fatalitet.

Ahmeti në një prononcim për Gazeta Blic, ka numëruar disa faktorë që sipas tij shkaktojnë aksidente në komunikacion.

Sipas tij, faktori kryesor është mos respektimi i shpejtësisë dhe shenjave të komunikacionit, përdorimi i telefonit mobil, dhe paftësia për ngasje.

Por Ahmeti si shkaktar për aksidentet e shumta që po ndodhin e sheh edhe mungesën e kamerave rrugore dhe radarëve mobil, ku vendosja e tyre siç shprehet ai, do të parandalonte rritjen e aksidenteve.

“Ka disa faktorë që shkaktojnë aksidente në komunikacion: Mos respektimi i shpejtësisë (është) më i theksuari, mos respektimi i shenjave të komunikacionit dhe mos respektimi i përparsisë së kalimit, përdorimi i telefonit mobil, mungesa e radarve mobil dhe statik, mungesa e kamerave rrugore dhe paaftësia për ngasje”, tha Ahmeti për Gazeta Blic.

Kujtojmë së mbrëmë një përson ka mbetur i vdekur pasi u godit për vdekje nga një kamion në fshatin Stanovc të Komunës së Vushtrrisë, shkruan Gazeta Blic.