Lajme

Eksperti i komunikacionit tregon faktorët që çojnë në aksidentet rrugore me fatalitet

03/26/2024 12:22
nga:N K

Eksperti i komunikacionit, Liridon Shahini, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur lidhur me faktorët kryesor të shkaktimit të aksidenteve rrugore në Kosovë dhe sipas tij shenjat e komunikacionit nuk po respektohen nga ngasësit.

Sipas Shahinit faktorët kryesorë që shkaktojnë aksidente janë: Përdorimi i telefonit, probleme shëndetësore të vozitësit dhe ngasja në efekt të alkoolit.

Mosrespektimin e rregullave të komunikacionit, Shahini po e vlerëson problem të madh nga personat e pranishëm në trafik rrugor, ndërsa sipas tij në rrugët regjionale dhe nacionale në Kosovë nuk janë duke u  respektuar rregullat e komunikacionit.

“Problemi kryesor në komunikacionin rrugor të Kosovës është se nuk po respektohen rregullat e komunikacionit, ndër faktorët kryesorë është mosrespektimi i sinjalizimit  sa i përket sinjalizimit në rrugët regjionale dhe nacionale nëpër autostrada në Kosovë nuk është duke u respektuar. Në rastet kur sinjalizimi nuk është i pranishëm në rrugë vlejnë rregullat e përgjithshme të komunikacionit rrugor “,theksoi eksperti i komunikacionit.

Sipas Shahinit shoferët nuk janë duke e respektuar kufizimin e shpejtësisë së automjetit në vendbanimet ku jetojnë njerëz.

“Kur shoferët e marrin patent shoferin duhet të dinë se, afër vendbanimeve kufizimi i shpejtësisë duhet të jetë 50km/h orë kjo shpejtësi nuk është duke u respektuar nga shoferët”, tha tutje Shahini.

Eksperti i komunikacionit tutje tha se rastet më të mëdha të dhënies së gjobave nga ,Policia e Kosovës, janë me tematikë të shpejtësisë, sipas tij në Kosovë ka mungesë respektimi të rregullave në komunikacion.

“Në rastet më të mëdha të gjobitjeve të pranishme në komunikacion  nga Policia e Kosovës janë me tematikë të tejkalimit të shpejtësisë, por  kjo ka të bëjë me mungesë të respektimit të rregullave”, përfundoi Shahini për GazetaBlic.

Sipas raportit të statistikave të Policisë së Kosovës në vitin 2023 ka pasur 23652 aksidente ndërsa këtë vit 3127.

Bazuar në raportin që PK-ja i ka dërguar GazetësBlic, numri i aksidenteve me  lëndime  në muajt janar-shkurt të këtij viti ka qenë 1068 raste në rritje më shumë se vitin e kaluar me 1051 raste./GazetaBlic/