Lajme

Eksperti i ekonomisë: Vendimi i Qeverisë për mbulimin e polisës kufitare për mërgimtarët, i duhur!

06/13/2024 18:09
nga:Y I

Mërgimtarët as këtë vit nuk do ta paguajnë polisën kufitare.

Kështu u mor sot vendim në mbledhjen e Qeverisë.

Në këtë mbledhje u ndan 3 milion euro për mbulimin e polisës kufitare për mërgimtarët.

Në lidhje me këtë vendim të Qeverisë ka folur për “Gazeta Blic” njohësi i çështjeve të ekonomisë, Lulzim Beqiri.

Beqiri tha se mërgata janë ‘arteria kryesore financiare në vend’ dhe si i tillë hapi i ndërmarrë nga Qeveria për policat e sigurimit është hap i duhur.

“Mërgata shqiptare meriton mbështetje nga të gjitha institucionet e vendit, ata janë arteria kryesore financiare në vend, janë kontribuuesit kryesor të mirëqenies qytetare, andaj e vlerësojë çdo përpjekje për të lehtësuar qëndrimin e tyre në atdhe.Mërgimtarët kosovar ballafaqohen me shumë peripeci gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, prandaj mendoj se hapi i qeverisë për policat e sigurimit është hap i duhur dhe i kohës për të lehtësuar mërgimtarëve kohen e qëndrimit në atdhe” tha Beqiri për “Gazeta Blic”.

Ai tha se një vendim i tillë i marrë nga Qeveria respekton kontributin e tyre.

“Dora e shtetit duhet të ndihet për kategorinë e cila dha dhe po jep shumë për Kosovën e lirë.Prandaj konsideroj se ky vendim është i duhur dhe respekton kontributin e tyre” tha Beqiri në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”.

Lulzim Beqiri, Ekspert ekonomie!

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se një vendim i tillë ka të bëjë me masa mbështetëse për mërgatën.

“Ky vendim ka të bëjë me masa mbështetëse për mërgatën tonë, e cila parasheh mbulimin e polisës kufitare për bashkëatdhetarët që vijnë në Republikën e Kosovës për kohën sa qëndrojnë këtu” tha ministri i Financave, Hekuran Murati.

/Gazeta Blic/

 

Mërgimtarët nuk paguajnë as sivjet sigurim kufitar, shpenzimet i mbulon Qeveria