Lajme

Eksperti financiar thotë se Naser Osmani e Atdhe Gashi nga llogaria “UFORK” kishin tërhequr shumën prej 332 mijë e 340 euro

03/25/2022 18:39
nga:Genita C

Eksperti financiar nga Drejtoria për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në kuadër të  Policës së Kosovës, Bujar Qorrolli, ka thënë se nga të akuzuarit Naser Osmani e Atdhe Gashi si të autorizuarit e llogarisë bankare të OJQ “UFROK” në periudhën 2006-2012 kishin tërhequr para në shumën prej 332 mijë e 340 euro.

Një deklarim të tillë, eksperti financiar Qorrolli e ka dhënë të premten, në rigjykimin për rastin  njohur si “Fondi 3%” duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Special Atdhe Dema, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ish-deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani, Atdhe Gashi dhe ish-këshilltari i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil Bujar Bukoshi, akuzohen për veprën penale të shpërdorimit.

“Përveç mjeteve që kanë qenë në llogarinë e OJQ UFORK-ut deri në vitin 2012, në vitin 2012 ka qenë shuma 335 mijë e 632 euro e 10 cent. Kësaj vlere ja kemi rritur të hyrat nga shitja e një automjeti në vlerë 1 mijë e 500 euro në vitin 2012, mjetet të cilat kanë qenë në llogari gjithsej nga të autorizuarit Atdhe Gashi dhe Naser Osmani gjatë periudhës 2006-2012 janë tërhequr në të gatshme në vlerë 332 mijë e 340 euro nga llogaria e OJQ UFORK”, tha eksperti Qorrolli.

Prej kësaj shume shpenzime operative sipas ekspertit Qorrolli për periudhën 2006-2015 kishin arritur t’i dëshmojnë shumën 182 mijë e 990 euro e 40 cent.

Sipas ekspertit Qorrolli shpenzimet operative janë shpenzimet e pagave, shpenzimet e rrymës, telefonit, shpenzimet e derivateve, shpenzimet e servisimit etj.

Ekspreti Qorrolli ka thënë se në emër të shpenzimeve të udhëtimit janë paguar edhe 2 mijë e 100 euro nga llogaria bankare e OJQ UFORK për periudhën 2006 të cilat shpenzime sipas tij, janë bërë transfer në agjenci turistike.

Ndërsa, në vitin 2006 eksperti Qorolli deklaroi se në llogarinë e Naser Osmanit janë transferuar  1 mijë euro, si dhe provizioni bankar për periudhën 2006-2012 ishte 192.10 cent që sipas tij, e rrumbullakson gjithsej qarkullimin bankar në UFORK në vlerë 335mijë e 632 euro e10 cent.

Sipas ekspertit financiar, kur kësaj shume bankare ia kishin zbritur të gjitha shpenzimet operative në vlerë prej 182 mijë e 990 euro e 40 centë, diferenca në vlerë prej 154 mijë e 132 euro e 47 centë të tërhequra nga llogaria bankare sipas tij, ishin shpenzuar në burim të panjohur.

“Kësaj shume të gjendjes bankare ja kemi zbritur të gjitha shpenzimet operative në vlerë 182 mije 990 euro e 40 cente ku diferenca në vlerë prej 154 mijë e 132 euro e 47 cent kemi konstatuar se këto mjete financiare të tërhequra nga llogaria bankare janë shpenzuar në burim të panjohur për shkak se lidhur me shpenzimet e këtyre mjeteve gjatë shqyrtimit financiar nuk kam pasur dëshmi”, ka thënë eksperti financiar Qorrolli.

Këto të gjetura eksperti Qorrolli deklaroi se ishin bërë gjatë shqyrtimit të dokumentacionit në ekspertizën financiare ku kishin analizuar hyrjet dhe daljet e mjeteve financiare nga llogaritë bankare të OJQ “Fond de R. Kosova” dhe OJQ “Fondi” për periudhën 2006 e këndej.

“Sa i përket OJQ “Fond de R. Kosova” në këtë llogari ka pas autorizim vetëm Bujar Bukoshi, për të cilën OJQ kemi analizuar periudhën 2006 deri më 14.05.2013, por tërheqjet nga llogaria janë bërë me datë 14.10.2015”. ka thënë eksperti.

Sipas tij, për këtë analizë është dhënë konstatimi lidhur me hyrjet e daljet e mjeteve ku në këtë konstatim ai tha se kishin dhënë mendimin se mjetet në vlerë prej 99 mijë e 830 euro të tërhequra nga Bujar Bukoshi nuk kanë pasur dëshmi materiale për të konstatuar se ku janë shpenzuar këto mjete.

“Ndërsa, lidhur me hyrje-daljet e mjeteve financiare nga OJQ UFORK në të cilën ka qenë përgjegjës Buajr Bukoshi dhe të autorizuarit në llogari Atdhe Gashi dhe Naser Osmani kemi konstatuar se më 01 janar 2006 gjendja fillestare ka qenë 971.70 euro. Më 8 shkurt 2006 janë bërë dy transfere hyrëse ndërkombëtare nga unioni i fondeve për rindërtim në OJQ UFORK në vlerë 40 mijë euro, gjatë periudhës 2006-2012 nga llogaria OJQ “Fond de R. Kosova” me seli në Kosovë janë transferuar në llogarinë e OJQ UFORK-ut 294 mijë e 600 euro si dhe interesi bankar gjatë kësaj periudhe është 60 euro e 40 cent. Të cilat të hyra gjithsej kanë qenë 335 mijë e 632 euro e 10 cent”, deklaroi eksperti Qorrolli.

Fillimisht, eksperti Qorrolli ka thënë se nga Prokuroria Speciale e Kosovës ishte kërkuar që të analizohen hyrje-daljet dhe shpenzimet për vitin 2006 e këndej si dhe të përcaktohen të gjeturat për të gjithë të pandehurit veç e veç dhe për të gjitha veprat penale veç e veç.

Tutje, eksperti financiar Qorrolli deklaroi se pas vitit 2012 OJQ UFORK nuk ka pas mjete në llogari, ndërsa në bazë të kartelave të shpenzimeve, kjo OJQ ka krijuar shpenzime edhe në vitin 2013, 2014 dhe 2015.

Kurse, i pyetur nga prokurori Dema se librat e arkës a kanë qenë në mënyrë të rregullt, eksperti Qorrolli ka thënë se lidhur me hyrje-daljet e mjeteve financiare për periudhën 2008-2012 në ditarët e arkës kanë qenë të paraqitura shpenzimet e pagave dhe shpenzimet operative, ndërsa për periudhën 2006-2007, ai tha se nuk ka pasur ditarë të arkës por kanë pasur kartelat lidhur me shpenzimet operative për periudhën 2006-2007.

“Ditarët e arkës kanë qenë fizikisht të shoqëruar me urdhër arke dhe kanë qenë kartelat e shpenzimeve operative dhe këto urdhër arka kanë dëshmuar lidhur me hyrje daljet e mjeteve financiare në të cilët ditarët e arkës kanë qenë të paraqiturat shpenzimet e pagave dhe shpenzimet operative për periudhën 2008-2012, ndërsa për periudhën 2006-2007 nuk i kam pasur ditarët e arkës por kane pasur kartelat lidhur me shpenzimet operative të kësaj periudhe dhe shpenzimet e pagave te cilët janë marr nga deklaratat e personave përgjegjës të cilët kane deklaruar lidhur me shpenzimet e pagave për periudhën 2006-2007”, tha ai.

Në këtë seancë, në cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar edhe Skender Cakolli dhe Maxhun Maloku.

Cakolli dhe Maloku deklaruan se qëndrojnë pranë deklarimeve të dhëna më parë lidhur me këtë çështje penalo juridike.

Dëshmitari Cakolli deklaroi se nga viti 2000 deri në fillim të vitit 2012 kishte punuar në OJQ UFORK si vozitës personal i Bujar Bukoshit.

Për punën e tij, Cakolli tha se kishte pasur kontratë pune dhe se ishte paguar me pagë në baza mujore.

Kurse, dëshmitari Maloku po ashtu deklaroi se në UFORK kishte punuar që nga themelimi i saj si sigurim i Bujar Bukoshit, ndërsa shtoi se nuk i kujtohej nëse ka pasur kontratë të punës mirëpo pagën ai tha se e kishte pranuar në (kesh), nga tani i akuzuari Atdhe Gashi.

Ai tha se pasi e kishte ndërprerë punën në organizatën UFORK nuk kishte pranuar ndonjë pagesë.

“Nuk ka ndodhur që të pranoj ndonjë mëditje apo mjete financiare shtesë jashtë pagës time fikse, ndonjë avanc kur kam marr për nevoja personale”, tha dëshmitari Maxhuni.

Ai deklaroi se i kujtohej ngjarja e cila kishte të bënte me thyerje të zyrave të OJQ UFORK, e cila kishte rezultuar me vjedhjen e disa kompjuterëve dhe kishte dëgjuar edhe për disa dokumentacione që kishin munguar.

Paraprakisht, në këtë seancë gjykatësi Adnan Kamberi ka aprovuar propozimin e mbrojtësit së të akuzuarit Osmani, avokatit Florent Latifaj që ekspertiza e përpiluar nga eksperti financiar gjyqësor Riza Blakaj të konsiderohet e lexuar dhe i njëjti të ftohet që të dëgjohet lidhur me këtë çështje penalo-juridike.