Vizita e emisarëve Escobar e Lajçak, nga ekspertët e sigurisë në vend po shihet si mesazh i qartë se mes Kosovës dhe Serbisë duhet të gjendet një zgjidhje paqësore.
Kështu, profesori universitar, Fatmir Çollaku, po konsideron se dinamizmi i SHBA-së dhe BE-së në ditët e fundit mund të përkthehet në atë se një pajtim mes palëve mund të jetë arritur dhe se shumë shpejt do të bëhet publike.
“Ka zëra të cilët konfirmojnë tashmë dakordimin e palëve, por ende nuk është bërë publike. Unë shumë besoj që zgjidhja ka me qenë paqësore, reciprociteti mund të implementohet në kontekstin e moskërkesës, gjegjësisht mosveprimit të Serbisë në masat dhe veprimet që kanë zhvilluar deri më tani ndaj qytetarëve shqiptarë, që kanë frekuentuar në territorin e tyre dhe i bie menjëherë se ka reciprocitet. Edhe Republika e Kosovës nuk aplikon masa të tilla dhe realizohet reciprociteti. Ose ndonjë solucion tjetër, por, në esencë, për mua dominon alternativa paqësore, opsioni paqësor e jo përshkallëzim, jo barrikada. Nuk do të ketë barrikada”, tha në RTK Fatmir Çollaku, profesor i Kriminalistikës .
Se nuk do të ketë përsëritje të tensioneve në veri të vendit e thotë edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi.
Sipas tij, mund të ketë mundësi të shtyrjes së zbatimit të masës së reciprocitetit me palën serbe për targat dhe dokumentet në hyrje-dalje.
“Eventualisht mund të ketë shtyrje të zbatimit të masave për arsye se është kohë e shkurtër, sepse po hyjmë gati në më pak se një javë për zbatimin e këtyre masave. Por sektori i sigurisë është në funksion, takimi i kryeministrit Kurti me zoti Kajári, komandantin e KFOR-it, gatishmërinë e tyre dhe ngritjen e kapaciteteve në zonën kufitare, por edhe të EULEX-it. Gjithashtu edhe Policia e Kosovës ka bërë bazat e veta, ka ngritë kapacitetet për mbulimin e terrenit dhe e gjithë kjo tregon se e gjithë kjo do të kalojë pa tensione”, tha Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë në vend.
Nga ana tjetër Qeveria e Kosovës është shprehur e palëkundur karshi vendimeve të saj për reciprocitetin me targat dhe dokumentet për hyrje-dalje, vendim i cili, sipas kryeministrit Kurti, do të fillojë të zbatohet nga 1 shtatori.


