Një marrëveshje e nënshkruar para tetë vitesh mes ish-kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, sipas të cilës Forca e Sigurisë së Kosovës nuk duhet të vendosej në veri të vendit pa pëlqimin e KFOR-it, është konsideruar e dëmshme për vendin nga kryeministri Albin Kurti.
Përkundër kundërshtimeve rreth kësaj marrëveshjeje, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sot pas takimit me kryeministrin Kurti kërkoi që autoritetet kosovare ta respektojnë këtë marrëveshje, pasi që ajo është ende valide, dhe se FSK nuk mund të shkojë në veri pa pasur pëlqimin e KFOR-it.
Megjithatë, marrëveshja e 19 prillit e nënshkruar në vitin 2013 nuk mund të ndryshohet tani, kështu vlerëson njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi.
Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë, në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, tha se marrëveshja është në kohë të pacaktuar, por që mund të ndryshohet kur të rregullohet situata në veri.
“Është marrëveshje e mëhershme e arritur mes Hashim Thaçit dhe NATO-s dhe kjo vazhdon ende të qëndrojë, është në afat të papërcaktuar. FSK duhet të integrohet edhe në veri mirëpo normal çdo herë me marrëveshje me KFOR-in dhe NATO-n, për arsye se qëndrimet e serbëve janë ekstreme dhe refuzuese për praninë e FSK-së në veri. Duhet në vazhdim të arrihet relaksimi i situatës, dhe të bëhen kushtet e pranueshme për të dyja palët. Në të njëjtën kohë edhe FSK duhet të integroj serbët, pasi që e dimë që në të kaluarën është kërkuar nga ta ta lëshojnë FSK-në. E gjithë kjo është që FSK të integrojë serbët, por edhe të bashkëpunojë me KFOR, që dalëngadalë të hyjë edhe në pjesën verore. Por, jo pa lejen e KFOR-it pas ka leje për mbrojtjen e territorit të Kosovës”, deklaroi ai.
Ai shtoi tutje se “kjo marrëveshje mbetet kështu, por kjo nuk do të thotë që nëse një ditë relaksohen gjërat nuk mund të ndryshohet”.
Në anën tjetër, Besa Kabashi – Ramaj, tha se një marrëveshje e tillë ekziston për shkak se situata në veri është më e ndjeshme.
“Stoltenberg ka thënë se situata në veri është e ndjeshme prandaj ekziston një marrëveshje e tillë. Ai nuk ka thënë se se veriu nuk është pjesë e Kosovës, dhe kjo duhet të jetë e qartë për te gjithë ne. Veriu është Republika e Kosovës, por situata atje është më e ndjeshme. Që duhet trajtuar me ndjeshmëri, është një komunitet që kontrollohet nga Serbia, dhe shfrytëzohet si element për shkatërruar stabilitetin”, potencoi ajo në RTV Dukagjini.
Ndryshe, gjatë vizitës së tij në Kosovë, Stolternbeg ka takuar udhëheqësit e shtetit, ndërkaq në një adresim për media, ai foli edhe për marrëveshjen për FSK, ku kërkoi nga autoritetet kosovare ta respektojnë atë pasi që është ende valide.
“Kjo është diskutuar dhe e mirëpres që autoritet e Kosovës vazhdojnë të mbështetësin marrëveshjen e vitit 2018, që FSK të mos kalojë në pjesën veriore pa marrëveshjen e KFOR-it. Kjo reflekton sensitiviten e situatës dhe është mënyra më e mirë për të gjetur një balancë. Ne vazhdojmë të mbështesim zgjidhjen e një marrëveshjeje politike në kuadër të dialogut Prishtinë –Beograd”, kishte pohuar ai.
Ndryshe, kryeministri Kurti kishte paralajmëruar se marrëveshjen për FSK-në do ta çojnë në prokurori për ta rregulluar këtë çështje, duke shtuar se marrëdhëniet me NATO-n do të thellohen.