Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” tha se nëse KFOR nuk i largon barrikadat deri me datën 31 dhjetor, kete gjë duhet ta bëjë Policia e Kosovës.
Shala theksoi se pas kësaj date, nuk mund të tolerohet më një bllokadë e tillë.
“Në rast se KFOR nuk do t’i largojë barrikadat e reja të vendosura në Veri deri me datën 31 dhjetor atëherë duhet Policia e Kosovës përmes mekanizmit përkatës të veprojë dhe t’i lirojë rrugët sepse kështu do të garantohet lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës pavarsisht komuniteteve, sepse nuk mund të tolerohet një bllokadë e tillë”
Ai tutje thotë se beson në profesionalizmin e Policisë së Kosovës, të cilët edhe nëse ndërhyjnë nuk do të lejojnë eskalimin e situatës.
“Sipas të gjitha gjasave në rast se do të ndërhyjë Policia e Kosovës do të ketë eskalim të situatës. Por dihet se Policia e Kosovës ka një maturi dhe një profesionalizëm të treguar edhe më herët sa i përket çështjes së barrikadave në pjesën veriore. Mund të themi se 2019 ishte pjesa më interesante e asaj se si Policia e Kosovë ka kryer çështjet eksplicide në mënyrë profesionale dhe nuk besoj se do të ketë ndonjë konotacion më të gjerë që mund ta përkeqësojë gjendjen e sigurisë në rajon dhe më gjerë” tha Shala për “Gazeta Blic”
Ndërsa njohësi i çështjeve politike në vend, Arton Demhasaj, tha se KFOR duhet të ndërhyjë që sa më shpejt të hiqen barrikadat.
Demhasaj theksoi se nëse do të ndërhynte Policia e Kosovës do të kishte eskalim të situatës, prandaj heqjen e barrikadave duhet ta ndërmarrë përsiper KFOR.
“Duke marrë parasysh serbët që jetojnë në ato treva, ato janë në një gjendje të keqe ndoshta dhe humanitare për shkak të bllokimit që e kanë. Mendoj se KFOR-i duhet me ndërhy që sa më shpejt me i heq barrikadat dhe që serbët që jetojnë në atë pjesë me jetu lirshëm sikurse pjesa tjetër e Kosovës. Edhe serbët janë qytetarë të kësaj Republike dhe KFOR-i ka në njëfarë mënyre obligim duke marrë parasysh situatën e cila me ndërhyrjen e Policisë së Kosovës mund të eskalojë ma teper në një konflikt ndëretnik që mund ta perdore Serbia dhe presidenti Vuçiq. Me me pak pasoja do të ishte ndërhyrja e KFOR dhe heqja e barrikadave nga ajo pjesë” deklaroi Demhasaj për “Gazeta Blic”
Sot është dita e 18-të prej kur serbët lokalë vendosën barrikadat që të çojnë në pikalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.
Edhe pse ka patur thirrje të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare për heqjen e tyre, ato vetëm vazhdojnë të shtohen në lokacione të ndryshme.
Sot janë vendosur edhe dy barrikada të reja, një tek shkolla teknike afër “Lagjes së Boshnjakëve” dhe një në vendin e njohur si “Kërshi i Dudit” në Zveçan.
/Gazeta Blic/
Deklarohet Policia: Grupet kriminale i vendosën edhe dy barrikada gjatë natës në veri
Kjo është harta që tregon se ku ndodhen të gjitha barrikadat në Veri


