Pas shumë kohësh, Kosova dhe Bashkimi Evropian gjetën pajtim për hapat për deeskalim të situatës në veri të vendit.
Kryeministri Albin Kurti tha se katër hapat për deeskalim do të krijojnë parakushte në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Sipas marrëveshjes së arritur, Kosova të nis tërheqjen e forcave policore në katër komunat veriore, zgjedhjet do të mbahen pas verës.
Lidhur me këtë marrëveshje, tërheqjen e qeverisë tani, masat që u morën nga BE e ftohjen e raporteve me ndërkombëtarët, për Gazeta Blic kanë folur analistët.
Analisti politik Halil Matoshi, thotë se ky ishte eksperiment të rrezikshëm i Qeverisë Kurti që nuk ia ka vlejtur.
“Ky ishte një eksperiment i rrezikshëm i Qeverisë Kurti në veri që nuk ia ka vlejtur, sepse pas 24-vjetësh e nxori palën serbe bashkëpunuese me Perëndimin, kurse Kosovën palë jokonstruktive, që sanksionohet”, thotë ai për Gazeta Blic.
Sipas tij, Kosova s’ka fituar asgjë, ka humbur besueëshmërinë e aleatëve dhe e ka përplasur shoqërinë.
“Së pari, Kosova nuk ka marrë asgjë si kundërvlerë, nuk ka realizuar asnjë interes nacional por e ka humbur besimin e qytetarëve serbë, që ishin lojalë ndaj shtetit, së dyti ka humbur besueshmërinë e aleatëve dhe së treti, e ka përplasur e polarizuar shoqërinë”, vlerëson Matoshi.
Ai shton se tërheqja nga aktet e pakoordinuara me SHBA është lajm i mirë, që të mund të shpëtohet çka mund të shpëtohet.
“Tërheqja nga aktet kryeneçe e të pakoordinuara me ShBA-në dhe Quint-in, është lajm i mirë, që të shpëtohet çka mund të shpëtohet”, deklaron analisti Halil Matoshi.
Ndërsa, analisti Gazmir Raci, thotë për Gazeta Blic se ka qenë forma më e mirë për ta adresuar problemin e veriut, atje ku lulëzon krimi e kontrabanda dhe nuk është bërë asgjë deri më tash.
“Betejat me rend e ligj gjithmonë janë të vështira por ka qenë forma ma e mirë e duhur për ta adresuar atje një problem mbi 20 vjeçar që askush deri sot nuk e ka prekur. Ne gjithë e dimë se sa ka lulëzuar krimi, kontrabanda në atë pjesë dhe nuk mund të themi tani që nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Nëse janë mbyllur 11 laboratorë të narkotikëve dhe vetëm nga to ka pasur vlerë 40 milionë euro tregon shumë, etj, etj”, thekson ai.
Raci vlerëson se masat nga BE kanë qenë të njëanshme vetëm për Kosovën.
“Tashmë e kanë thënë edhe disa shtete anëtare në BE që masat e vendosura nga Brukseli ishin të njëanshme vetëm për Kosovën duke pasur parasysh që Serbia në vazhdimësi ka shkelur obligimet e Brukselit. Duket që kritikat e bëra gjatë samitit të fundit të BE-së ndaj Zyrës së Borellit/Lajçakut bënë që kjo zyre të zbutë qëndrimet ndaj Kosovës në raport me përafrimin e pikave për të adresuar deeskalimin e situatës. Nuk kishte rrugë tjetër që përpos me Kosovën të adresohen gjitha kërkesat por jo duke përdorur “sanksione” të njëanshme”, potencon analisti për Gazeta Blic.
Ai e sheh të rëndësishme marrëveshjen e arritur dje, teksa shton se Brukseli duhet të jetë më i ashpër ndaj Serbisë, siç ka qenë me Kosovën, që ajo ta zbatojë planin franko-gjerman.
“Është e arritur e rëndësishme kjo e bërë dje por shpresoj që Serbia nuk do të luajë përsëri duke mos e zbatuar Marrëveshjen bazike dhe ankesin e Ohrit. Dëshirojë të besoj që Brukseli do të jetë i ashpër ndaj Serbisë siç ishte me Kosovën, në rast se Serbia vazhdon të mos e zbatojë planin Franko-Gjerman dhe ta pengojë Kosovën në avancimin e saj drejt organizatave ndërkombëtare”, deklaron analisti Gazmir Raci./Gazeta Blic/
Kurti jep detaje për arritjen e marrëveshjes për shtensionim: Zgjedhjet në veri pas verës


