Lajme

Eksperti i protokollit: Në presidencë nuk mund të mbahen ceremoni familjare, nuk i lejon ligji

08/06/2022 00:33
nga:Arsim Buxhovi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka emëruar Ambasadore Nderi të Republikës së Kosovës këngëtaren me famë botërore, Dua Lipën, ku në këtë ceremoni morën pjesë edhe bashkëshorti i saj, Prindoni dhe vajzat Dua dhe Anda.

E se a është protokollare pritja familjare në presidencë, përmes një lidhjeje direkte në Klan Kosova, ka folur eksperti i protokollit, Tomorr Avdiu, i cili u shpreh se në presidencë nuk mund të mbahen ceremoni familjare.

Ai u shpreh se në një rast si ky i sotmi duhet të merrnin pjesë edhe fëmijë të tjerë.

“Në rastet kur fëmijët marrin pjesë, duhet të marrin pjesë disa fëmijë dhe jo vetëm ata të zonjës së parë të shtetit, pra në mesin e disa fëmijëve mund të kenë qenë edhe vajzat e presidentes Osmani, në këtë rast ajo do ishte në përputhje me rregullat, të cilat mban protokolli dhe ligji i shtetit.”

Tutje, Avdiu u shpreh se ceremonitë e tilla nuk i lejon ligji për presidencën.

“Ceremonitë duhet të bëhet në përputhje me protokollin dhe ligjin për presidencën dhe nuk mund të bëhen tërësisht një ceremoni familjare, pasi nuk e lejon ligji”, u shpreh tutje ai.