Sporti

Ekskluzive: Solomon qëndron 40 ditë në paraburgim në Gjilan, më pas pritet të ekstradohet në Shqipëri

02/27/2023 10:42
nga:L J

Sulmuesi i Gjilanit,  Theophilus Solomon është arrestuar të premten e kaluar, me 24 shkurt në qytetin e Gjilanit nga njesiti policor “FAST Kosovo” që bashkëpunon me Interpol dhe Europol.

Solomon është arrestuar për një rast që kishte në të kaluarën sa luante në Shqipëri, teksa çështja siç duket ende nuk është mbyllur.

Futbollisti ishte duke kaluar në formë të mirë këtë sezon dhe tashmë ia shton një problem Gjilanit, që realisht nuk e kishin pritur.

Por, çka po ndodhë aktualisht me Solomon?

Sipas burimeve që ka arritur të sigurojë ‘GazetaBlic Sport’, sulmuesi i Gjilanit, Solomon do të qëndrojë 40 ditë në paraburgim në Gjilan, e më pas pritet të ekstradohet në shtetin e Shqipërisë. Futbollistit i është shqiptuar masa e arrestit prej 40 ditësh paraburgim nga Gjykata Themelore në Gjilan, për t’u ekstraduar më pas në Shqipëri, ashtu siç ka kërkuara edhe Gjykata në Shqipëri.

Reagimi i Gjilanit

Klubi i Gjilanit ka reaguar para pak çastesh duke shkruar se janë duke bashkëpunuar maksimalisht me autoritet relevante për sqarimin e situatës. Pavarësisht që klubi i Gjilanit ka marr përsipër mbrojtjen e futbollistit dhe ka angazhuar edhe avokat për ta mbrojtur atë, vendimi i gjyqtarit ka qenë tejet strikt. Klubi poashtu raporton se po i qëndrojnë afër lojtarit, pavarësisht se nuk kanë kompetenca se ku dhe kur ka ndodhur ngjarja, pra nuk janë të përfshirë.

“Sport Club Gjilani përmes kësaj komunikate dëshiron të njoftojë opinionin në lidhje me situatën e krijuar me futbollistin e ekipit tonë, Theophilus Solomon.
Futbollisti me origjinë nga Nigeria të premten është shoqëruar nga policia për shkak të një rasti personal që ka patur më herët, teksa ishte pjesë e kampionatit shqiptar pak vite më parë.
Ne si klub do të bashkëpunojmë maksimalisht me autoritetet relevante deri në sqarimin dhe pastrimin e plotë të këtij rasti.
Sport Club Gjilani gjithmonë ka treguar kujdes gjatë angazhimit të lojtarëve të ri, kur paralel me cilësitë futbollistike vëmendje i kemi kushtuar edhe anës njerëzore. Njejtë edhe me futbollistin Theophilus Solomon, i cili ka treguar sjellje tejet korrekte dhe ka qenë shembull për të tjerët në shumë raste.
Ne si klub ofrojmë bashkëpunim sa i përket pjesës tonë të kompetencave edhe pse realisht nuk kemi asnjë lidhje me kohën dhe vendin ku ka ndodhur ngjarja.
Sport Club Gjilani nuk do të bëjë asnjë koment tjetër në lidhje me futbollistin Theophilus Solomon, derisa autoritetet kompetente të dalin me një vendim përfundimtar”, shkruhet në njoftimin e SC Gjilanit.

Çka do të ndodhë tani?

Solomon është në pritje të procedurës së ektrsadimit në Shqipëri, për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit. Tek klubi i Gjilanit besojnë shumë që do ketë ndryshim të vendimit, pasi që kanë ankimuar të gjitha provat për ta lënë në liri, madje edhe duke garantuar për të. Javën e ardhshme pritet të mbahen edhe një seancë me kërkesë të futbollistit, i cili ka kërkuar mbrojtje në liri.

/GazetaBlic Sport