Partitë opozitare janë koordinuar për takim, në të cilin do të diskutohet mbledhja e nënshkrimeve të nevojshme për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të vendimit të presidentes, Vjosa Osmani, për shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor, raporton Gazeta Blic.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazeta Blic, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Ai shkurt ka thënë se një gjë e tillë është e vërtetë dhe se takimi mes përfaqësuesve të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, do të mbahet nesër për të marrë vendim për dërgimin e kësaj çështje në Kushtetuese.
“Po, është e vërtetë. Nesër do të kemi takim për të parë se çka do të bëjmë tutje lidhur me këtë çështje”, ka thënë shkurt Tahiri për Gazeta Blic.
Vendimi i presidentes Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor, ngjalli reagime të mëdha.
Opozita e kundërshtoi këtë vendim, duke akuzuar Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin, se po e kapin shtetin.
Në anën tjetër, organizatat e shoqërisë civile, përmes një reagimi të përbashkët kanë hedhur kritika të mëdha lidhur me këtë vendim.
I pari që deklaroi dje se ky vendim i Osmanit është shkelje e Kushtetutës së Kosovës, e tha ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Hasani përmendi faktet që sipas tij, nëse partitë opozitare e dërgojnë këtë lëndë në Kushtetuese, atëherë ata do të jenë fitues të saj.
Kjo pasi që, Hasani shprehet i bindur se Vjosa Osmani nuk ka kompetenca kushtetuese për të marrë këso vendime.
“Është shkelje e pastër Kushtetuese. Parametri kushtetues është kushtetuta jonë. Po qe se shkon në kushtetuese, Gjykata Kushtetuese kurrë nuk mund ta arsyetojë se shkarkimi i kryesueses së KQZ-së mund të bëhet nga presidentja siç e ka bërë presidentja e Kosovës”, ka deklaruar ndër të tjera ai.
Ndërkaq, për arsyetimin e presidencës për shkarkimin e Dakës, njohësi i çështjeve dhe juridike ka thënë se është përdorur gjuhë jo-profesionale.
“Që ta kemi të qartë, asnjë komeptencë e presidentit të Kosovës dhe presidentëve që kanë sistem të ngjashëm me ne, nuk kanë kompetencë ekzekutive, të gjitha janë zingjirore. Kushtetuta e thotë shumë mirë se presidenti ka të drejtë vetëm për të emëruar kryesuesin e KQZ, që do të thotë për të aminuar zgjedhjen e bërë nga Apeli ose Supremja e Kosovës”, tha Hasani.
Kurse, në një konferencë për media, ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, përveç deklarimeve rreth takimit që e pati dje me presidenten Vjosa Osmani, para se kjo e fundit ta shkarkojë, tha se nuk do të ndalet se kërkuari drejtësi për këtë vendim.
Daka u shpreh se para se të merrej vendimi për t’u shkarkuar nga kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, presidentja Osmani, ka kërkuar nga ajo që të japë dorëheqje, në këmbim të një falenderimi publik për punën e saj.
Mirëpo, pas refuzimit të Dakës për të dhënë dorëheqje ka pasuar vendimi për shkarkimin e saj.