Njësia për Hetemin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka nisur hetimet për punësimin e nëntë zyrtarëve të lartë në ministrinë e Drejtësisë, në kohën kur kjo ministri udhëhiqej nga Partia Demokratike e Kosovës, raporton Gazeta Blic.
Gazeta Blic, ka siguruar një dokument, në të cilin: mbikqyrësi në Njësinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike, Visar Shala, ka kërkuar nga ana e ministrisë së Drejtësisë, informacione rreth konkurseve për pranimin e nëntë zyrtarëve të lartë, në kuadër të kësaj ministrie.
Ky hetim është duke u zhvilluar sipas autorizimit nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Në kërkesën e Prokurorisë dhe Njësisë për Krime Ekonomike dhe Korrupsionit, drejtuar ministrisë së Drejtësisë, kërkojnë nga kjo e fundit, që të jepen dëshmi për procedurat e punësimeve të këtyre nëntë zyrtarëve, kriteret mbi të cilat janë punësuar ata, listën e kandidatëve që kanë konkuruar në ato konkurse dhe ankesat e ndonjë kandidati që nuk është punësuar në ndonjërin nga këto konkurse.
Hetimet mbi këto punësime kanë nisur me 23 nëntor të këtij viti dhe ende nuk dihet se deri ku kanë arritur ato.
Gazeta Blic ka provuar të flas me të dyshuarit, por që kontakti me ta ka qenë i pamundur.
Në anën tjetër, Gazeta Blic, do ju mbajë të informuar me detaje rreth këtyre punësimeve dhe procesin e hetimeve ndaj tyre.