Sporti

Ekskluzive: Llapit i bllokohet merkato nga FIFA, shkak bëhet borxhi ndaj Prognit

11/08/2023 13:48
nga:Lorik J

Skuadrës kosovare, KF Llapi iu është bllokuar merkato nga shtëpia e futbollit ndërkombëtar, FIFA.

Kjo bllokadë nga FIFA vjen si pasojë e borxheve të këtij klubi ndaj ish-futbollistit të tyre, Gerhard Progni, i cili ka paditur klubin pak kohë më parë.

Futbollisti shqiptar u largua nga Llapi në prill të këtij viti. Progni nuk kishte marrë pagë në disa muaj tek KF Llapi, e më pastaj çështja e tij pas largimit shkoi në FIFA, ashtu siç është rregullorja për lojtarët që llogariten të huaj. Rasti i Prognit me KF Llapin është zgjidhur tashmë nga ana e FIFA’s që ka dhënë verdiktin në favor të lojtarit. Futbollisti ka fituar gjyqin ndaj KF Llapit me 7 shtator, 2023.

Pasi fitoi rastin në FIFA, klubi i Llapit është detyruar që brenda një periudhe kohore t’ia paguajë borxhin lojtarit, mirëpo se ka bërë dhe si pasojë e kësaj FIFA ka vendosur t’ia bllokojë merkaton, derisa çështja mes palëve të zgjidhet.

Avokati i Prognit, Arsen Selmanaj ka konfirmuar për ‘GazetaBlic Sport’ se skuadrës së Llapit iu është bllokuar merkato, për shkak të rastit të lojtarit të tij.

Më poshtë keni edhe një dokument zyrtar nga FIFA në lidhje me bllokimin e merkatos së Llapit, i siguruar ekskluzivisht nga GazetaBlic Sport.

Në dokument shkruhet:

“I referohemi çështjes së lartpërmendur si dhe vendimit të marrë nga FIFA (vendimi)

Në këtë kontekst, rezulton se, përkundër vendimit, pala e paditur, KF Llapi 1932 (i paditur) ende nuk ka përmbushur detyrimet e saj financiare ndaj z. Gerhard Progni (paditës)

Në lidhje me këtë, dëshirojmë të informojmë palët se FIFA ka zbatuar një ndalim për regjistrimin e lojtarëve të rinj ndërkombëtarisht.

Për më tepër, në përputhje me vendimin e lartpërmendur, nga Federata e Futbollit të Kosovës (në kopje) kërkohet që të paditurit, klubit Llapi 1932, t’i zbatojë menjëherë ndalimin e regjistrimit të lojtarëve të rinj në nivel kombëtar”.

/GazetaBlic Sport