Lajme

Ekskluzive: “Ligji për pagat”, Kryeministrit Albin Kurti do t`i rritet rroga për hiç më pak se 780 euro (dokument)

02/15/2022 11:11
nga:N M

Në shkurtin e vitit 2020, vetëm pak ditë pasi Kurti ishte bërë Kryeministër për herë të parë, me shumë krenari e kishte prezantuar vendimin, përmes së cilit ai po e shfuqizonte vendimin e paraardhësit të tij. Në këtë mënyrë Kurti po e ulte pagën e tij nga nga 2,950 në 1,500 euro, raporton Gazeta Blic.

Por, këtë pagë, ai do ta përfitojë vetëm edhe për pak kohë. Kryeministrit Kurti do t’i shtohen të ardhurat nga paga, sepse kështu është paraparë në Ligjin për Pagat, i cili është hartuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me dikasteret tjerë qeveritarë.

Gazeta Blic ka siguruar ekskluzivisht një kopje të këtij projektligji, i cili së shpejti pritet të miratohet nga Qeveria e Kosovës, që drejtohet nga Kurti.

Sipas këtij projektligji, Kryeministri i Kosovës do të ketë koeficientin e pagës 19. Vlera e një koeficienti ende nuk është saktësuar në projektligj, por Gazeta Blic mëson se ajo është propozuar të jetë 120, por që ende nuk është përfundintare.

Pra, nëse shumëzohet koeficienti i pagës, 19, me vlerën monetare të tij, 120 euro, atëherë paga bazë e Kryeministrit Kurti do të jetë 2,280 euro, pa përfshirë këtu shtesat tjera. Paga e tij do të rritet për 780 euro.

Vlerë të njëjtë të pagës pritet ta kenë edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kreu i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Presidenti i Kosovës do të qëndrojë më lartë për një koeficient, pra me pagën në vlerën 2,400 Euro.

Projektligji i pagave ka filluar të ngjallë reagime të shumta përmes të cilave ka filluar kundërshtohet përmbajtja e tij.

Në mes të muajit janar, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se Ligji për Paga do të procedohet për miratim në Qeveri në muajin mars të këtij viti.

Projektligji i ri i pagave po kundërshtohet fuqishëm nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe ajo e Policisë së Kosovës.

 

Ishte ish- kryeministri Haradinaj ai i cili më 2017 i kishte dyfishuar pagën vetes si dhe kabinetit të tij.

Deri atë kohë paga e Kryeministrit ishte rreth 1500 euro, për t’u rritur në 2950 euro.

Sipas atij vendimi, paga e zëvendëskryeministrit ishte 2500 euro ndërsa e ministrave 2000 euro.

Ky vendim kishte nxitur reagime të shumta, duke e kritikuar ashpër Haradinajn për rritje të pagës për veten dhe ministrat e tij.

Gjatë qeverisjes së tij, Haradinaj e kishte nxjerrë edhe Ligjin për Paga, i cili më pas u rrëzua nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ku sipas këtij ligji parashihej edhe nivelizimi i pagave.

Sindikata e policisë e quan të papranueshëm dhe diskriminues Projektligjin e Pagave