Lajme

Ekskluzive: Ligji për konfiskimin e pasurisë- nuk do të vlejë prezumimi i pafajësisë dhe barra e provës do të bie mbi palët e jo mbi Byron

01/05/2022 14:15
nga:N M

‘Prezumimi i pafajësisë’, apo që askush nuk është i fajshëm derisa të vërtetohet fajësia, si një e drejtë juridike e të akuzuarit, nuk do vlejë me Ligjin për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, në versionin e miratuar nga Qeveria dhe që tashmë është dërguar në Kuvendin e Kosovës.

Përveç kësaj, ‘barra e provës’ do të bie mbi palën dhe jo mbi institucionin që akuzon- Byron.

Të dy këto çështje, qartësohen prerazi në pak rreshta të nenit 31 të këtij projektligji, të cilin e ka siguruara Gazeta Blic.

“Çdo pasuri e personit në procedurë supozohet se është fituar në mënyrë të pajustifikueshme derisa personi të vërtetojë të kundërtën”, është përmbajtja e fjalisë së dytë të këtij neni, e cila bënë që prezumimi i pafajësisë të mos vlejë.

Kjo e drejtë juridike e të akuzuarit, konsiderohet si një e drejtë universale e njeriut.

Ajo gjendet në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara. Në artikullin e 11 të kësaj Deklarate renditet “E drejta për tu cilësuar si i pafajshëm deri kur provohet fajësia”. Në paragrafin e parë të këtij artikulli theksohet se “Kushdo që është i akuzuar për një vepër penale ka të drejtë të konsiderohet i pafajshëm derisa në bazë të ligjit të vërtetohet fajsia në njё proces publik në të cilin ka pasur tё gjitha garancitë e duhura për mbrojtjen e vet”.

Kjo e drejtë universale ka hyrë edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës (Neni 31 – E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm) dhe Kodin e Procedurës Penale (Neni 3 – Prezumimi i pafajësisë së të pandehurit), me të njejtën domethënie sikurse në Deklaratën Universale të Kombeve të Bashkuara.

Prezumimi i pafajësisë, i ndërlidhur me shprehjen se “barra e provës është mbi atë që deklaron, e jo tek ai që e mohon”, do të thotë se një i akuzuar për kryerjen e një vepre penale konsiderohet i pafajshëm derisa të faktohet fajësia e tij.

Megjithëkëtë, përveç që prezumimi i pafajësisë nuk do të vlejë për të akuzuarin, edhe ‘barra e provës’ do të jetë barrë për të akuzuarin, sepse ajo nuk do t’i takojë organit akuzues, në këtë rast Byros, i cili do të duhej të paraqiste dëshmi bindëse për të bindur trupin gjykues.

Kjo është e thënë në fjalinë e parë të Nenit 31 të Ligjit për Byron: “Pas paraqitjes së propozimit në Gjykatë, pala në procedurë në seancën e shqyrtimit, duhet të provojë se pasuria që është objekt i propozimit, ka prejardhje të justifikueshme.”.

Që ‘barra e provës’ të bie mbi palët është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.

Sipas Kodit, në Nenin 7 (Detyrimi i përgjithshëm për vërtetimin e plotë dhe të saktë të fakteve) është rregulluar çështja se kush duhet të vërtetojë faktet. Kjo nuk është një çështje që i takon palëve në procedurë, por Gjykatës, Prokurorit të Shtetit dhe Policisë. “Gjykata, Prokurori i Shtetit dhe Policia të cilët marrin pjesë në procedurën penale detyrohet që saktësisht dhe tërësisht t’i vërtetojnë faktet të cilat janë të rëndësishme për marrjen e vendimit të ligjshëm”.

Sipas projektligjit në fjalë, do të mjaftojë një shpërputhje mes të hyrave dhe pasurisë që tejkalon vlerën prej 25,000 eurosh, që Byroja të fillojë procedurën për të konfiskuar pasurinë e zyrtarit.

Projektligji, nëse nuk do të pësojë ndryshime, do të ketë fuqi prapaverpuese deri më 17 shkurt 2008.

Grupet parlamentare ende nuk kanë dhënë qëndrimet e tyre.