Lajme

Ky është i dyshuari për të shtënat me armë zjarri në Prishtinë që u kap pas 3 javësh në arrati

02/16/2024 08:44
nga:N K

Pas rreth 3 javësh, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin për incidentin me të shtëna me armë zjarri, në fund të muajit janar, në rrugën “Ferat Dragaj” në Prishtinë.

Pas një aksioni, ku u zhvillua edhe bastisje, i dyshuari është prangosur dhe tashmë ndodhet në ndalim.

Personi që ra në prangat e Policisë është NB 45-vjeçar.

NB po dyshohet se më 25 janar ka gjuajtur me armë zjarri te shtëpia e viktimës , ku dyshohet se kishte shkrepur disa herë, për motive akoma të panjohura.

Rasti ishte denoncuar atë ditë në Polici dhe njësitet përkatëse kanë gjetur gëzhojat e armës që dyshohet se u përdor nga i dyshuari, por ky i fundit arriti të shpëtojë duke ikur.

Si rezultat i nisjes së hetimeve, i dyshuari u identifikua dhe Policia dje zhvilloi bastisje në shtëpinë e tij, me urdhër të prokurorit, të aprovuar nga gjyqtari i procedurës paraprake.

Pas arrestimit, i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore brenda afatit ligjor./Sinjali/