Lajme

EKSKLUZIVE: Kandidati për deputet i LDK-së, Gëzim Plakolli do të kandidojë edhe për kryetar të Mitrovicës

01/16/2025 15:19
nga:G C

Gëzim Plakolli, kandidati i LDK-së për deputet me numrin 43 ka thënë ekskluzivisht për GazetaBlic se do të jetë edhe kandidat për kryetar të Mitrovicës në zgjedhjet komunale.

Plakolli ka paraqitur planin e tij për zhvillimin e komunës dhe rajonit. Ai ka theksuar dy prioritete kryesore për mandatin e tij të ardhshëm: ndërtimin e rrugës Smekovicë-Mitrovicë dhe sjelljen e gazit amerikan, të cilin sipas tij, Qeveria aktuale e ka refuzuar. Plakolli gjithashtu ka propozuar rritjen e burimeve të energjisë së ripërtëritshme duke shfrytëzuar Shalën e Bajgorës për ndërtimin e mullirëve të erës, që do të sigurojnë energji të qëndrueshme për Mitrovicën.

“Përveç që do të jem kandidat për deputet, unë do të jem edhe kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet lokale për kryetar të komunës, që do të mbahen në tetor të këtij viti”, tha Plakolli.

“Unë, i kam dy sfida para vetes. Prioriteti i parë për të cilin do të angazhohem fuqimisht është rruga Smekovicë-Mitrovicë, do ta sjellim gazin amerikan që kjo Qeveri i ka thënë JO, plani im tjetër është që të rriten burimet e energjisë së ripërtëritshme, ku planifikojë që Shalën e Bajgorës ta shfrytëzojë për krijimin e mullirëve të erës, të cilët do të garantojnë energji stabile për Mitrovicën”, shtoi ai.

Ai ka nënvizuar gjithashtu sfidën e varfërisë në Mitrovicë, duke përmendur se komuna ka numrin më të madh të përfituesve nga skema sociale në Kosovë.

Plakolli ka premtuar angazhim për krijimin e një zone të lirë doganore për Mitrovicën dhe komunat e veriut, si dhe ka kërkuar që zhvillimi i qytetit të mos përdoret për përfitime politike.

Ai thotë se Kosova ka nevojë për udhëheqje të fuqishme nga Lumir Abidxhiku, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për Mitrovicën.

“Mitrovica e ka numrin e përfituesve në skemë sociale, më të madhin nga të gjitha komunat. Kjo na bën të besojmë që komuna e Mitrovicës është më e varfëra në Kosovë, unë premtoj që do të angazhohem fuqishëm për krijimin e një zone të lirë doganore përfshirë edhe komunat e veriut”, tha Plakolli.

“Tash është mjaft, Mitrovica nuk duhet të zhvillohet vetëm për poena politik. Të gjithë politikanët e kanë shfrytëzuar Mitrovicën për përfitime politike dhe është koha e Lumir Abdixhikut që ta bëjë këtë kapërcimin e madh, në mënyrë që Mitrovicës t’i sjell zhvillim ekonomik”, shtoi ai.