Granit Xhaka doli i 16-ti në garën për Topin e Artë 2024, u votua nga dy shtete në tri vendet e para, por nuk mori asnjë pikë nga Zvicra, vendi të cilin e ka përfaqësuar me krenari ndër vite.
Daniel Visentini, i cili u lejua të votonte si juri për “Tribune de Geneve”, preferoi të mbështetet te Vini Jr, Rodri, Bellingham, Carvajal, Martinez, Foden, Haaland, Yamal, Mbappe dhe Kane, duke mos e votuar fare Xhakën.
Në një prononcim ekskluziv për ‘GazetaBlic Sport’, Visentini ka treguar se pse nuk i ka dha asnjë pikë futbollistit me origjinë shqiptare.
Duke ia numëruar sukseset e futbollistit Xhaka, i cili siguroi titullin kampion historik me Bayer Leverkusen dhe Superkupën e Gjermanisë, finalen e Europa League dhe shkëlqeu me fanellën e Zvicrës në Euro 2024, duke qenë dy herë edhe më i miri i ndeshjes, pyetja jonë ishte direkte: Pse nuk i dhe asnjë pikë Granit Xhakës në votimin për ‘Topin e Artë’?
Visentini zgjodhi të përgjigjet në këtë mënyrë: Granit Xhaka ishte shumë afër për të qenë në listën time të top 10, sigurisht. Por ai nuk ishte i vetmi që meritonte pikë, pavarësisht gjithçkaje që bëri sezonin e kaluar.
Duket të jetë një përgjigje më shumë diplomatike dhe ndoshta jashtë pritshmërive të një gazetari që përfaqëson futbollin zviceran në një organizim të tillë, sepse në fund të fundit, nga votimet e shteteve të tjera është dëshmuar se sa rëndësi kanë pasur votat nga shtetet respektive të kandidatëve të tjerë.
/GazetaBlic Sport/